Kuriozitete

Aventurieri – FOTO/ 71 rrëzime, por nuk u dorëzua! 91-vjeçari përshkon 3,530 km, ngjitet në mal dhe hyn në histori

Në moshën 91-vjeçare, Dale Sanders ka sfiduar moshën dhe lodhjen për të përfunduar një nga shtigjet më të famshme të ecjes në SHBA, duke u bërë sërish personi më i moshuar që përshkon të gjithë Appalachian Trail.

Sanders, i njohur me nofkën ‘Grey Beard’, përshkoi rreth 3,530 kilometra, nga Xhorxhia deri në Maine. Rruga nuk ishte aspak e lehtë dhe Sanders tregon se gjatë aventurës u rrëzua 71 herë, gjashtë prej tyre në mënyrë serioze.

Një prej rrëzimeve e detyroi të qëndronte për pak kohë në spital, ndërsa një tjetër ndodhi vetëm disa metra larg vijës së finishit.

Megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ndali. Në majë të Mount Katahdin, pika më e lartë e Maine, ai u ndal për të falënderuar Zotin dhe njerëzit që e ndihmuan gjatë udhëtimit.

Image

‘Duhej të falënderoja Zotin, ekipin tim mbështetës dhe të gjithë ata që më sollën deri këtu’, tha Sanders.

Ai e kishte vendosur për herë të parë rekordin në vitin 2017, në moshën 82-vjeçare. Rekordi u thye katër vite më vonë nga miku i tij 83-vjeçar M.J. Eberhart, i njohur si ‘Nimblewill Nomad’.

Sanders më pas vendosi të rikthehej për ta marrë sërish titullin. Këtë herë sfida ishte shumë më e vështirë. Në qershor, teksa zbriste nga Killington Mountain në Vermont, Sanders u rrëzua në një zonë me gurë, duke dëmtuar këmbët, krahët dhe duart.

‘Falë Zotit, nuk theva asgjë, por isha i dëmtuar. Nuk e fshiva as gjakun, thjesht vazhdova të ecja’, tregoi ai.

Image

Disa javë më vonë, një mpirje në krahun e majtë e çoi sërish në spital. Mjekët fillimisht dyshuan për një goditje në tru, por më pas rezultoi se bëhej fjalë për një nerv të bllokuar.

Pavarësisht vështirësive, Sanders thotë se rekordi tashmë është dytësor. ‘Dua ta rikthej, por tani kjo është dytësore. Ajo që është më e rëndësishme është se njerëzit po motivohen dhe po marrin kurajë nga përpjekjet e mia’, u shpreh ai.

Historia e tij ka frymëzuar mijëra njerëz në rrjetet sociale. Meredith Ewenson, një prej personave që e takoi gjatë rrugëtimit, tha se Sanders dëshmon se kufijtë e moshës mund të sfidohen.

Image

‘Lëvizshmëria e tij është e jashtëzakonshme. Truri im nuk arrinte të kuptonte se si mund të ishte kaq në formë në atë moshë’, tha ajo.

Sanders, i lindur në vitin 1935, ka vendosur edhe rekorde të tjera, përfshirë atë të personit më të moshuar që ka përshkuar me kajak të gjithë lumin Mississippi, një udhëtim 87-ditor që e nisi në ditëlindjen e tij të 87-të.

Të Ngjashme