Lajme

Azemi: Dyshja e pushtetit Krasniqi – Berishaj, në krye të mafisë energjetike

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se ngritja e aktakuzës ndaj ish-kryeshifit të KEK-ut, Nagip Krasniqi është dëshmi e keqpërdorimeve.

Në një konferencë për media, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka thënë Nagip Krasniqi dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dy njerëz të pushtetit kanë qenë në krye të mafisë energjetike.

“Kur blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë, e në mënyrë të pakuptimtë shtyhej remonti i këtij blloku. E kjo i kushtonte Kosovës rreth 1 milionë euro në ditë blerje e rrymës jashtë vendit, të cilën e ndërmjetësonte njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe kryemafiozi i energjisë, Martin Berishaj. Me të cilin, siç e dini, raportohej se Nagip Krasniqi takohej fshehurazi. E teksa me Martinin bëheshin pazare andej në dëm të KEK-ut e qytetarëve, pikërisht në KEK, janë negociuar e arritur 113 tender sekret, në vlerë të mbi 100 milionë eurove. Kjo dyshe famëkeqe, pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi duke u siguruar që të blihet energji elektrike, madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tender sekret me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli në Beograd të Serbisë, duke ndërmjetësuar. Që të dy njerëz të pushtetit, që të dy shokë të Albin Kurtit që i vendosi aty. E fatkeqësisht, që të dy u morën në mbrojtje edhe nga ky i fundit”, ka thënë ai thuhet në komunikatën e LDK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës këtë javë ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua më 19 prill 2023. Siç e thotë aktakuza, Krasniqi nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua, në cilësinë e personit zyrtar, ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.