
Robert Stafford, babai i reperit Lil Nas X, ka ndarë për herë të parë emocionet dhe mesazhin e të birit pas krizës publike që përfundoi me arrestimin e tij.
Ylli 26-vjeçar i muzikës u arrestua javën e kaluar në Los Angeles, pasi u pa duke ecur lakuriq në një rrugë kryesore dhe më pas u përplas me policinë, duke u akuzuar për dhunë ndaj oficerëve.
Në një intervistë për The Sunday Times, Stafford rrëfeu se vizita në burg ishte një nga momentet më të vështira të jetës së tij: “Sapo kalova atë derë, nuk munda të bëja gjë tjetër veçse të qaja. Të shihja djalin tim të vogël nga ana tjetër e xhamit ishte shkatërruese”, shkruan DailyMail.
Ai tregoi gjithashtu kërkesën prekëse që Montero Hill (emri i vërtetë i reperit) i kishte bërë: “Më tha të tregoja të gjithëve se i vinte keq që u shfaq në atë gjendje. Edhe aty, mes gjithë asaj dhimbjeje, ai po kërkonte falje”.
Babai i tij shtoi se e ngushëlloi duke i kujtuar se krizat nervore janë pjesë e jetës dhe se e vetmja gjë që e bëri ndryshe këtë rast ishte fakti se gjithçka ndodhi në sy të publikut.
Menjëherë pas lirimit me garanci prej 75 mijë dollarësh (afërsisht 69 mijë euro), Lil Nas X reagoi përmes një videoje në Instagram ku u tha mbi 10 milionë ndjekësve të tij se “gjithçka do të jetë mirë”, duke e quajtur përvojën në burg “të tmerrshme”.
Ai aktualisht përballet me katër akuza të rënda, përfshirë tre për dhunë ndaj një oficeri policie.
Incidenti i fundit ka shtuar shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore dhe emocionale, ndërsa babai i tij theksoi se do të qëndrojë pranë djalit në këtë periudhë të errët.