Lajme

Bajraktari: Zgjedhjet u kanë dërguar mesazh partive, kompromisi është i domosdoshëm për formimin e institucioneve

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë kanë dërguar një mesazh të qartë për subjektet politike, duke theksuar nevojën për kompromis dhe konsensus në procesin e formimit të institucioneve.

Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Bajraktari tha se partitë politike duhet të lexojnë drejt vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

“Po shpresoj që nga spektri politik, duke filluar nga fituesi i zgjedhjeve e deri te partitë e tjera, ta kenë marrë mesazhin e qartë të qytetarëve të shprehur në këto zgjedhje, se është e nevojshme dhe e domosdoshme të ketë kompromise dhe konsensus të nevojshëm, në mënyrë që të mos kemi dalje nga një krizë në tjetrën, por të kemi sa më parë themelimin e institucioneve”, ka deklaruar Bajraktari.

Ai u shpreh optimist edhe për përmbylljen e procesit zgjedhor, duke thënë se pret që certifikimi i rezultateve të bëhet gjatë pjesës së parë të muajit korrik.

“Mbi bazën e dinamikës që është duke e karakterizuar KQZ-në, unë po shpresoj që në pjesën e parë të korrikut do të mund të kemi certifikimin e zgjedhjeve, prej nga fillon të rrjedhë edhe afati për thirrjen e seancës konstituive për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas Bajraktarit, krijimi i institucioneve të reja duhet të jetë prioritet i partive politike, në mënyrë që vendi të shmangë bllokadat dhe krizat institucionale.

Të Ngjashme