Lajme

Bajrami: Çerdhet nuk u ndërtuan, arsimi po rrënohet nga kjo Qeveri

Ish-ministrja e Arsimit, njëherësh deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se VV ka ardhë në pushtet me premtime por gjatë mandatit ka ndodhur e kundërta.

Ajo ka përmendur disa nga premtimet që ka bërë partia në pushtet.

“VV ka ardhë në pushtet jo vetëm me premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve për fëmijë, por me shumë premtime si: ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtoj më lirë, kanë premtu sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Krejt çka ka ndodhë këtë tri vjet e gjysmë të mandatit të tyre është e kundërta”, tha ajo.

Bajrami thotë as nuk u ndërtuan çerdhet e premtuara, por përkundrazi arsimi po rrënohet.

Korrupsion e nepotizëm me bollëk ka kjo qeveri, thotë ish-ministrja e Arsimit.

“Çerdhet nuk janë ndërtu, as shtëpitë për të moshuarit, çmimi i rrymës është dyfishu, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor, deri me sot nuk është përfundu asnjë projekt infrastrukturor, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qenë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë punëtore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë, ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike – që 14 muaj jemi në masa ndëshkuese të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, ka korrupsion dhe nepotizëm me bollëk”, deklaron ajo.

Ajo thotë se duhet të jap llogari Kurti për gjendjen e krijuar në vend.

Bajrami thotë se faji qëndron tek dembelia e kabinetit qeveritar e shumë faktorë tjerë.

“Se pse është gjendja e tillë është vështirë me i ditë arsyet, disa nga ato janë korrupsioni, mungesë e theksuar e kompetencës dhe dembelia e kabinetit qeveritar dhe partia në pushtet, por motivet dhe arsyet e vërteta duhet t’i japin vetë ata, duhet t’i jap Kurti sepse ai i ka dhënë këto premtime dhe marrë votat bazuar në këto premtime”, u shpreh Bajrami për Fo.