Lajme

Bajrami i reagon Muratit: Të vetmit që po keqinterpretoni e po manipuloni me shifra jeni ju

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili së fundmi tha se po “keqcitohet” raporti i fundit i Bankës Botërore (BB).

Bajrami përmes një postimi në Facebook ka thënë se pushtetarët janë “të vetmit që po keqinterpretojnë e manipulojnë” me shifra dhe statistika.

”Hekuran, nuk ka asnjë keqintrepretim të raportit të Bankës Botërore as nga opozita as nga ‘mediet e afërta me opozitën’, është thënë fjalë për fjalë ajo çka thotë raporti i Bankës Botërore: ‘vetëm 37% e popullsisë në moshë punë në Kosovë punojnë’ dhe sipas këtij indikatori jemi më se keqi në rajon”, ka shkruar Bajrami.

“Ndërsa sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në fund të vitit 2023 kemi pasë 440 448 gra dhe 237 123 burra jashtë tregut të punës të grup moshës 15 deri 64 vjet”, ka thënë Bajrami.

Deputetja Bajrami më tej ka shkruar se shifrat po e sfidojnë Qeverinë “më shumë se mediat e opozita”.

“Të vetmit që po keqintrepretoni e po manipuloni me shifra jeni Ju, askush tjetër, se shifrat po ju sfidojnë me shumë se mediet e opozita. Ju jeni peng i mashtrimeve e premtimeve të juja”, ka thënë Bajrami.

Ministri Murati përmes një postimi tha se me Qeverinë Kurti ka gati dyfish më shumë vende pune sesa në qeveritë tjera nga viti 2012.

“Papunësia ka rënë në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”, tha Banka Botërore në një raport të fundit të publikuar të enjten, që thoshte se veç 37.1% e kosovarëve janë të punësuar.