Lajme

Bajrami i reagon Vuçiqit: S’mund të ketë dialog të besueshëm nëse njëra palë ka pretendime territoriale

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, reagoi pas deklaratës së publikuar nga European Democrats, në të cilën kritikohet retorika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

European Democrats kanë deklaruar se Vuçiq “edhe një herë ka pohuar se Kosova është pjesë e Serbisë”, duke vlerësuar se deklarata të tilla dëmtojnë procesin e pajtimit dhe stabilitetin rajonal.

Në reagimin e tyre, ata kanë theksuar se vetëm disa ditë më herët, ministrja serbe Snezhana Paunoviq kishte deklaruar se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998, duke shtuar se këto deklarata, pavarësisht dënimit në Evropë, nuk kanë sjellë pasoja politike.

Bajrami shpërndau këtë qëndrim, duke e vlerësuar si një mesazh të rëndësishëm ndaj qasjes së Beogradit dhe retorikës që, sipas tij, pengon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Beogradi vazhdon të mohojë realitetin, të mohojë të vërtetën dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, shkroi Bajrami në “X”.

Të Ngjashme