Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, së bashku me vende si Moldavia dhe Ukraina. Ndërsa këto dy shtete kanë bërë përparim në procesin e anëtarësimit, aplikimi i Kosovës është duke vendnumëruar.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë mundësinë të ecë përpara në mënyrë ta pavarur nga Serbia.
“Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe vendi duhet të ketë mundësi të ecë përpara në mënyrë të pavarur nga Serbia”, deklaroi ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, në një intervistë për Euractiv.
Sipas Bajramit, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat, megjithëse është plotësisht e gatshme për ta fituar atë.
“Kosova është më e gatshme dhe e përparuar se çdo vend tjetër, që ka qenë në momentin kur i është dhënë statusi i kandidatit”, tha ai.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2022 dhe ndonëse aplikimi ka ngecur, megjithatë, Bajrami mbetet optimist:
“Ka tri gjëra që nuk mund t’i shmangësh në jetë: vdekjen, taksat dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.
Në qershor, eurodeputetët vlerësuan përpjekjet e Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, por shprehën gjithashtu shqetësim për faktin se vendi ka më shumë se një vit pa një parlament plotësisht funksional dhe pa qeveri.
Brenda pak më shumë se një viti, në Kosovë janë mbajtur tri zgjedhje. Edhe pse kryeministri Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit, ai nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës të krijojnë institucione funksionale dhe të vazhdojnë me reformat, shkruan Euroactiv.
“Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i bëjë detyrat e shtëpisë në vend të saj”, pati deklaroi Costa.
Kosova ka pasur vazhdimisht mosmarrëveshje me Serbinë lidhur me statusin dhe trajtimin e pakicës etnike serbe, megjithatë tensionet janë zbutur në periudhën e fundit.
Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se as Kosova dhe as Serbia nuk mund të afrohen drejt anëtarësimit pa arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
