Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se pensionistët do ta përfitojnë rritjen e dyfishuar të pensioneve në muajin janar, me pensionin e parë të vitit të ardhshëm.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Rama ka ripërsëritur zotimin e qeverisë për të dyfishuar çdo vit rritjen e pensioneve deri në përfundim të mandatit të katërt qeverisës.
Sipas kryeministrit, kjo politikë mbështetet te rritja ekonomike e vendit dhe mundësitë që ajo krijon për të shpërndarë më shumë të ardhura te qytetarët.
Rama:
“Të nderuar bashkëqytetarë e bashkëqytetare, pa dallim bindjesh e përkatësish politike, të gjithë ju që s’keni lidhje me dhunën dhe që e refuzoni dhunën si një mjet të shprehjes se pakënaqësisë suaj por dhe të gjithë ju që dhe në këto ditë të vështira nuk keni munguar së treguari mbështetjen dhe solidaritetin tuaj jo për mua, por për një përpjekje që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ndalet.
E kam thënë kur s’kishte asnjë protestë në horizont, e kam nënvizuar vazhdimisht kur kërkova mandatin e katërt, se qëllimi im është që çdo vit shqiptarët të marrin më shumë nga rritja ekonomike e Shqipërisë.
Dhe çdo vit e kemi rritur volumin e rishpërndarjes së fryteve të rritjes ekonomike, duke shfrytëzuar çdo mundësi të re të buxhetit pasardhës, për paga, investime, shpenzime sociale. Ashtu sikundër pikërisht sepse ekonomia na e ka dhënë mundësinë, jemi zotuar që në këtë rishpërndarje, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës, deri në fund të mandatit të katërt. Në janar, pensionistët do ta ri verifikojnë këtë zotim në pensionin e tyre të parë të vitit të ardhshëm, ku rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar. “
