Shkencëtarët kanë zbuluar se ndryshime të caktuara në bakteret e zorrëve mund të ndihmojnë në identifikimin e personave që rrezikojnë të zhvillojnë sëmundjen e Parkinsonit, shumë vite para shfaqjes së simptomave.
Sipas një studimi të realizuar nga University College London (UCL), si pacientët me Parkinson ashtu edhe personat me predispozitë gjenetike shfaqin modele të veçanta të mikrobiomës së zorrëve, ndryshe nga personat e shëndetshëm.
Studiuesit analizuan të dhëna nga 271 pacientë me Parkinson, 43 persona me një variant gjenetik me rrezik të lartë, si dhe 150 persona të shëndetshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali. Rezultatet treguan se mbi 25% e llojeve të baktereve të zorrëve ndryshonin mes grupeve.
Sipas kërkuesve, këto ndryshime mund të shërbejnë si një shenjë e hershme paralajmëruese e sëmundjes, edhe para shfaqjes së simptomave klinike.
Parkinsoni është një nga sëmundjet neurodegjenerative më të përhapura dhe karakterizohet nga humbja graduale e neuroneve që prodhojnë dopaminë. Në momentin e diagnozës, më shumë se gjysma e këtyre qelizave tashmë janë dëmtuar.
Studiuesit theksojnë se zbulimi i hershëm është thelbësor për zhvillimin e trajtimeve më efektive në të ardhmen. Ata sugjerojnë se analiza e mikrobiomës së zorrëve mund të përdoret për të identifikuar personat në rrezik dhe për të rekomanduar masa parandaluese, si ndryshime në dietë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht rolin e faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë në zhvillimin e sëmundjes.
