Ministri i Brendshëm Taulant Balla pas vizitës në Shkodër është ndalur në Lezhë ku ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Pas takimit, Ministri Balla bëri një analizë vjetore të punës së kryer nga Polica vendore e Lezhës ku më shqetësuese konsideroi ngjarjet kriminale pa autor, të pa zbardhura.
I pyetur nga gazetarët për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, Balla tha se çështja është nën hetim nga Prokuroria e Lezhës dhe se Policia e Shtetit ende nuk ka një përgjigje për këtë rast.
“Unë e kam thënë që kjo mbetet një gur peshe i rëndësishëm sa i përket llogaridhënies sonë ndaj publikut dhe ligjit. Besoj që nuk do të jetë e largët dita kur do të kemi edhe një komunikim së bashku për këtë çështje.”
Gjithashtu Balla tha se vëmendje të shtuar do të ketë dhe ndaj fenomenit të gjakmarrjes që ka prodhuar pjesën më të madhe të këtyre ngjarjeve me viktima.
Në qarkun e Lezhës janë 228 familje në konflikte gjakmarrje dhe hasmërie. A mendoni se duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj këtij fenomeni?
“Janë 45 ngjarje kriminale nga viti 2005 e këndej, me vrasje, për të cilat, sikurse ju informova, kemi një plan pune për to, sepse këto ngjarje të vjetra janë burim për ngjarje të reja. Të paktën historia këtë ka treguar dhe na ka mësuar. Dhe është në detyrën e DVP Lezhë, kemi bërë një bisedë edhe me drejtuesit e prokurorisë për një hetim të thellë. Dhe detyra e policisë për të parandaluar ngjarje të reja kriminale, që burojnë nga këto ngjarje të vjetra.”
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo