Lajme

“Bandat flisnin hapur në SKY”, gazetarja: Dërgonin foto të viktimave pas ekzekutimit

Gazetarja Glidona Daci ka folur në lidhje me operacionin e fundit të zhvilluar në SPAK, ku u lëshuan 11 urdhër-arreste për një grup kriminal që merrej me trafik droge, mes tyre zyrtarë të policisë.

Daci është shprehur se gjithçka është zbuluar nga përgjimet e “SKY”, ku grupet kriminale kanëë folur “pa dorashka”, madje nuk kanë nguruar që të dërgojnë foto të lëndës narkotike, apo grupe të tjera që kanë dërguar foto të viktimave pas ekzekutimit.

“Kompania që e krijoi SKY pretendonte se do të ishte një komunikim 100% i sigurt dhe lufta më e madhe që po bëhet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk po bëhet nga grupet kriminale, por nga kompanitë e biznesit, se ato e kanë përdorur më shumë.

Ishte një aplikacion që mund të aplikoje vetëm me foto jo video, dhe grupet kriminale e kanë parë këtë si një aplikacion të sigurtë dhe aty kanë folur pa dorashka, pa kursim. Por në të gjitha rastet që ne kemi lexuar në dosjet e trafikut të drogës ata kanë nisur foton e lëndëve narkotike, të njëri-tjetrit, në grupe chati ku hidhnin foto të lëndëve narkotike.

Ku tregohej si e kanë futur në kontenier, si është paketuar. Dhe në rastin e parë ku janë kapur 440 kilogramë nga autoritetet gjermane nuk kanë nevojë fare që të kërkojnë prova të tjera, pasi mjafton të marrësh komunikime, procesverbalin e autoriteteve gjermane dhe ti ta faktosh që është e atij grupi.

Tek dosja “Metamorfoza”, ka pasur dhe rastin e një vrasjeje, që është ajo e Gjin Boriccit, ka qenë një foto që i është bërë viktimës pasi është ekzekutuar. Dhe ky është gabimi më i madh i tyre, por e mira që i është bërë autoriteteve.

Ajo që më bën përshtypje në këtë dosje është fakti që Ervin Mata kishte vendosur ta trafikonte drogën me avion, dhe ajo u kap në aeroportin e Frankfurtit dhe i gjithë shqetësimi i tij ishte se ata kishin zbuluar rrugën e tij të re të trafikimit”, u shpreh gazetarja Glidona Daci për  “Drejt” në “Ora News”.