Lajme

Banjska, testi i madh për qeverinë e re serbe – analistët kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie

Pushteti i ri në Serbi po përballet me një nga sfidat më të rëndësishme në raport me Republikën e Kosovës. Çështja kryesore mbetet mënyra se si qeveria e re në Beograd do të veprojë ndaj personave përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, më 24 shtator 2023, ku u vra polici kosovar Afrim Bunjaku.

Kështu ka deklaruar deputeti në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, duke vlerësuar se rasti i Banjskës do të jetë një provë konkrete për gatishmërinë e qeverisë së re serbe për drejtësi dhe llogaridhënie.

Në një intervistë për një nga emisionet në vendin tonë, Reuten ka thënë se është ende herët për të gjykuar qeverinë e re në Beograd, pasi ajo ende nuk e ka filluar punën. Megjithatë, ai ka shprehur shpresën se ndryshimet politike në Serbi mund të sjellin një qasje të re ndaj përgjegjësisë për sulmin në Banjskë.

Eurodeputeti ka vënë në dukje se drejtësia, transparenca dhe llogaridhënia janë ndër parimet e përfshira në programin politik të Listës së Studentëve, duke shprehur pritjen që këto zotime të përkthehen në veprime konkrete.

Sipas Reutenit, vënia para drejtësisë e përgjegjësve për sulmin në Banjskë mund t’i japë një shtysë të re dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rexhepi: Banjska është prova e llogaridhënies së Serbisë, jo thjesht test politik për qeverinë e re në Beograd

Image
Ish-hetuesi Agim Rexhepi

Ish-hetuesi Agim Rexhepi, duke komentuar çështjen e Banjskës, ka theksuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit 2023, duke e cilësuar atë si kusht për besim dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Ai ka theksuar se drejtësia për policin e vrarë Afrim Bunjaku nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike.

Rexhepi në prononcimin e tij për “Bota sot”, ka përmendur edhe raportimin e Radio Evropës së Lirë të 12 tetorit 2026, sipas të cilit hetimet ndaj Milan Radoiçiqit në Serbi vazhdonin, por ende nuk ishte ngritur aktakuzë.

“Banjska është prova e llogaridhënies së Serbisë, jo thjesht test politik për qeverinë e re në Beograd!

Sepse pa drejtësi për Banjskën nuk mund të ketë besim të qëndrueshëm, pa llogaridhënie nuk mund të ketë pajtim dhe pa respektimin e Republikës së Kosovës nuk mund të ketë normalizim të vërtetë të marrëdhënieve.

Drejtësia për Afrim Bunjakun nuk është çështje e negociueshme politike. Është detyrim ndaj viktimës, familjes së tij, institucioneve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ekzistojnë edhe fakte konkrete që e mbështesin këtë qëndrim:

Më 12 tetor 2026, Radio Evropa e Lirë raportoi se Prokuroria në Beograd deklaronte se hetimi ndaj Radoiçiqit vazhdonte, por ende nuk ishte ngritur aktakuzë”, tha ai.

Rexhepi ka shtuar se edhe raporti i Komisionit Evropian, i publikuar më 4 nëntor 2026, evidenton mungesën e hapave konkretë të Serbisë për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë.

Ai ka theksuar se Serbia nuk mund të kërkojë avancim drejt Bashkimit Evropian pa garantuar llogaridhënie dhe drejtësi për këtë rast.

“Raporti i Komisionit Evropian për Serbinë, i publikuar më 4 nëntor 2026, konstaton se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin në Banjskë.

Parlamenti Evropian ka kërkuar bashkëpunim të plotë të Serbisë dhe Kosovës për kapjen dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Pra, Serbia nuk mund të kërkojë çelësat e dyerve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që mban të hapur derën e pandëshkueshmërisë për ata që sulmuan institucionet e një shteti fqinj. Rasti i Banjskës kërkon drejtësi, jo arsyetime politike” – deklaron ai.

Nimani: Nuk pres ndryshime të mëdha në një periudhë të shkurtër

Image
Artan Nimani

Edhe analisti politik Artan Nimani vlerëson se nuk duhet të ketë pritje për ndryshime të shpejta demokratike në Serbi.

Sipas tij, rasti i Banjskës dhe vënia para drejtësisë e Milan Radoiçiqit mbeten treguesit kryesorë të gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.

“Në vlerësimin tim, duhet të jemi të kujdesshëm me pritjet për një progres të shpejtë demokratik të institucioneve në Serbi, veçanërisht në raport me Republikën e Kosovës. Demokracia nuk matet vetëm me procesin zgjedhor apo me ndryshimin formal të pushtetit, por me funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe gatishmërinë për t’u përballur me përgjegjësitë politike e juridike.

Rasti i Banjskës mbetet një nga testet më të rëndësishme për institucionet serbe. Vënia para drejtësisë e personave përgjegjës, përfshirë Milan Radoiçiqin, do të ishte një tregues konkret nëse Serbia është e gatshme të shkëputet nga tolerimi i strukturave paramilitare dhe të ndërtojë një qasje më të përgjegjshme ndaj paqes dhe sigurisë rajonale.

Megjithatë, personalisht nuk pres ndryshime të mëdha në një periudhë të shkurtër. Edhe pse Lista Studentore ka arritur të fitojë shumicën e vetme, stabiliteti politik dhe transformimi institucional nuk ndërtohen automatikisht përmes rezultatit zgjedhor. Serbia vazhdon të përballet me polarizim të brendshëm, ndikim të strukturave të vjetra të pushtetit dhe një diskurs nacionalist që shpesh e vështirëson ndërtimin e një politike të re ndaj Kosovës” – shprehet Nimani për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai potencon se presioni i BE-së duhet të shoqërohet me kërkesa dhe pasoja konkrete ndaj Serbisë. Sipas tij, vetëm përmes reformimit të institucioneve dhe llogaridhënies për të kaluarën mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore me Kosovën.

“Presioni i Bashkimit Evropian mund të ndikojë, por vetëm atëherë kur ai shoqërohet me kërkesa të qarta dhe pasoja konkrete. Në këtë kuptim, rasti i Banjskës nuk është vetëm një çështje e drejtësisë për Kosovën; ai është një provë serioze për vetë demokracinë dhe kredibilitetin institucional të Serbisë.

Prandaj, para se të presim progres demokratik në raport me Kosovën, Serbia duhet të dëshmojë progres demokratik në raport me vetveten. Vetëm një shtet që ndërton institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe të afta për t’u përballur me të kaluarën dhe strukturat e dhunës, mund të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore me fqinjët”, përmbylli Nimani për “Bota sot”.

Të Ngjashme