Lajme

“Banorët të largohen,” Netanyahu i vendosur: Ushtria izraelite do të shkatërrojë Hamasin

Kryeministri izraelit, në një fjalim televiziv, premtoi se Izraeli do të mundte Hamasin, por luftimet “do të marrin kohë”.

Ai tha se ajo që ndodhi sot nuk është parë në Izrael dhe do të sigurohet që të mos ndodhë më.

Netanyahu shtoi se Izraeli do të arrijë në çdo vend ku Hamasi fshihet, duke u thënë banorëve të Gazës që të largohen nga ato vende sa më shpejtë të jetë e mundur.

Duke iu referuar robërve izraelitë që mbahen në Gaza, ai tha: “Unë i them Hamasit, ju jeni përgjegjës për mirëqenien e robërve, Izraeli do të zgjidhë hesapet me këdo që i dëmton ata”.

Sulmi i së shtunës  erdhi 50 vjet dhe një ditë pasi forcat egjiptiane dhe siriane filluan një sulm gjatë festës hebraike të Yom Kippur në një përpjekje për të rimarrë territorin që Izraeli kishte marrë gjatë një konflikti të shkurtër në 1967.

Të paktën 200 izraelitë u konfirmuan të vrarë dhe mbi 1,400 të plagosur deri në mbrëmje. Viktima të tjera u raportuan nga komunitetet kufitare të Gazës, ku betejat me armë vazhdojnë ende midis IDF-së dhe terroristëve të cilët u panë të lëvizin lirshëm në disa vende. IDF tha se goditi skuadra të shumta terroriste në jug të Izraelit, si dhe disa objekte që i përkisnin Hamasit në Rripin e Gazës.

Vendet e shënjestruara nga avionët luftarakë dhe dronët e Forcave Ajrore izraelite përfshinin 17 komplekse ushtarake, katër seli dhe dy kulla shumëkatëshe që IDF tha se ishin përdorur për të strehuar asetet e Hamasit.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant u zotua gjithashtu se Izraeli “do ta fitojë këtë luftë”.

“Hamasi bëri një gabim të rëndë këtë mëngjes dhe filloi një luftë kundër shtetit të Izraelit. Ushtarët e IDF po luftojnë armikun në të gjitha vendet e infiltrimit, “tha Gallant.

“Shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.

Një deklaratë e përbashkët nga krerët e partive opozitare të Knesset-it i dha mbështetje të plotë IDF-së dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë aktet e terrorit.