Profesori Mazllum Baraliu ka vlerësuar se rezultati zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit përbën, sipas tij, një “ndëshkim të qytetarëve” ndaj kësaj partie.
Sipas Baraliut, qytetarët kanë vlerësuar se VV-ja ka tejkaluar pritjet politike dhe ka ndjekur qasje makiaveliste në përpjekjet për maksimalizim të pushtetit.
“Populli ka parë që VV-ja po e tepron dhe kur dikush pretendon maksimumin e maksimumit në forma të ndryshme është makiavelizëm politik dhe prandaj populli e ka ndëshkuar”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se, sipas tij, qytetarët nuk e kanë pranuar narrativën se opozita është shkaktare e bllokadës politike.
“VV-ja gjithashtu u ndëshkua pasi populli nuk e hëngri propagandën e tyre se opozita është shkaktare e bllokadës”, u shpreh Baraliu në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka theksuar se edhe mënyra e veprimit politik të VV-së ka ndikuar në rezultat.
“Del që qytetari i ka ndëshkuar edhe këta sepse ndryshonin qëndrimet dhe ishin jo konsekuentë, jo sa duhet të angazhuar”, ka deklaruar ai.
Baraliu ka shtuar se, sipas tij, votuesit kanë kuptuar se përgjegjësia për situatën politike nuk i takon vetëm opozitës.
“Votuesi e ka kuptuar që edhe këta e kanë një pjesë të përgjegjësisë, madje edhe më të madhen, sepse ishin fitues me 51 për qind dhe, me këtë përqindje, të mos jesh në gjendje të krijosh institucione për më shumë se tre muaj tregon mungesë të aftësisë politike për të krijuar institucione dhe për të qeverisur pastaj”, ka deklaruar Mazllum Baraliu.
