Lajme

Basha: Ahmet Bushati, hero i qëndresës antikomuniste

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Ahmet Bushatit.

Basha u shpreh se, Bushati ishte një hero i qëndresës antikomuniste, shkrimtar, përkthyes e veprimtar politik.

“Si një ndër të rinjtë e brezit të tij që sfidoi me kurajë që në ditët e para, regjimin e sapo instaluar komunist, Ahmet Bushati u përball me dhunën e egër e gjakatare të diktaturës, me hetuesit dhe burgjet e saj, duke mos çeduar aspak ndaj frikës dhe torturave. Si njeriu i idealeve zgjodhi qëndresën dhe sakrificën përballë të keqes. Libri i tij i çmueshëm “Në gjurmët e një ditari” është një afresk i rrëqethës i kalvarit të vuajtjeve të Shkodrës nën thundrën e diktaturës”, theksoi Basha.

“Ahmet Bushati u angazhua që në fillim me Partinë Demokratike, si i pari kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit dalë nga zgjedhjet e korrikut të vitit 1992. Me largimin e tij nga kjo jetë, Shkodra dhe mbarë vendi humbën një fisnik dhe intelektual të rrallë, një simbol të vërtetë të vlerave demokratike”, përfundoi Basha.