Ministri në detyrë i Infastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha e ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës për realizimin e autostradës Shkup – Bllacë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Ai ka thënë se ky është lajm i mirë, sepse si projekt ka rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ky segment përbën vazhdimin e korridorit të rëndësishëm rajonal dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të njërit prej akseve më strategjike të transportit në rajon. Realizimi i këtij investimi do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, do të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe integrim rajonal”, ka thënë Basha.
Ai ka uruar që punimet të zhvillohen sipas planit dhe projekti të përfundojë brenda afateve të parapara, në mënyrë që qytetarët e të dy vendeve të përfitojnë nga kjo lidhje moderne.
“Infrastruktura nuk njeh kufij, andaj çdo investim që rrit ndërlidhjen rajonale, i afron qytetarët, fuqizon ekonomitë tona dhe kontribuon për një rajon më të zhvilluar e më të integruar”, ka shtuar Basha.
