Lajme

Basha sulmon Ramën për komentet për Kosovën: Flet si perëndimor, vepron si lindor!

Demokrati Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, pas reagimit të sotëm që ka bërë ky i fundit për mbledhjen e jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku Albin Kurti u përballë me Aleksandër Vuçiç. Rama e quajti përballjen të pakuptimtë.

Sipas Ramës, Kosova dhe Serbia, si dy vende të cilat aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun që Europa i ka servirur dhe të fokusohen në arritjet e marrëveshjeve, të cilat janë kyçe për qytetarët e të dy vendeve.

Mirëpo, për Bashën këto komente dhe “këshilla” për Kosovën janë të panevojshme kur bëhen nga një lider autokrat që flet si perëndimor dhe në vendin e vetë vepron si lindor.

“Flet si perëndimor, vepron si lindor. Aleatët strategjikë e trajtojnë sigurinë e Kosovës si çështje të sigurisë kombëtare, rajonale, europiane dhe euroatlantike. Vetëm Edi Rama nuk e konsideron të tillë.

Aleatët strategjikë e trajtojnë korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri si cënim të sigurisë së tyre kombëtare. Vetëm Edi Rama nuk e konsideron çështje të sigurisë së vendit tonë

Kosova nuk ka nevojë për leksione demokracie nga një autokrat, por për mbështetje konkrete.

Shqipëria nuk ka kërcënim më të madh ndaj sigurisë së saj kombëtare se korrupsioni që vret vende pune, varfëron shqiptarët dhe shkatërron besimin te institucionet dhe shteti”, shkruan Lulzim Basha në llogarinë e tij në “X”, ish-Twitter.

LEXO EDHE: Përballja në Këshillin e Sigurimit, Albin Kurti rrëzon propagandën e presidentit serb

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo