Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë vlerësohet si një vlerë e trashëguar ndër shekuj dhe thelbësore për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu, respekti i ndërsjellë dhe ruajtja e diversitetit konsiderohen çelësi për një shoqëri të qëndrueshme dhe harmonike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes komuniteteve.
Kështu u tha në tryezën e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, në të cilën morën pjesë përfaqësues shtetëror e fetar e partnerë ndërkombëtarë.
Krerët e vendit theksuan gjithashtu se, krahas vlerave të dëshmuara të bashkëjetesës, kohëve të fundit janë vërejtur edhe përpjekje dhe tendenca që synojnë ta dëmtojnë këtë harmoni. Kjo e bën edhe më të domosdoshëm një angazhim të përbashkët të institucioneve dhe të bashkësive fetare, në mënyrë që këto vlera të ruhen, të forcohen dhe t’u përcillen brezave të rinj
Sigurisht, kohët e fundit, e në veçanti gjatë këtyre dy dekadave të fundit, duket sikur dikujt nuk i pëlqen kjo harmoni dhe kjo bashkëjetesë fetare. Duke u thirrur në demokraci dhe në lirinë e shprehjes, e shpeshherë pa e kuptuar fare se çfarë është demokracia dhe cilët janë kufijtë e saj, disa persona me vetëdije shfaqin urrejtje dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për urrejtje mes shqiptarëve. Ata bëjnë thirrje për konvertime, duke pretenduar në emër të një shqiptarie të rreme se njeriu duhet të largohet nga Islami për të qenë shqiptar i mirë.
E gjithë kjo, në asnjë mënyrë, nuk ka të bëjë me realitetin. Kjo është tepër nënçmuese, kjo është urrejtje, madje mund ta quaj edhe krim, sepse krim nuk do të thotë vetëm të vrasësh dikë, por edhe të shkelësh të drejtat elementare që i gëzon çdo njeri.
Ne duhet, me maturi, me njohuri dhe me vendosmëri të vërtetë, t’ua bëjmë me dije këtyre individëve dhe këtyre lëvizjeve, që në fakt janë të pakta në krahasim me popullatën tonë, se ata janë në shërbim të disa skenarëve të huaj, të cilët përmes tyre, fatkeqësisht, dëshirojnë të fusin farën e përçarjes në mesin e kombit shqiptar.
Mirëpo shqiptarët janë ata që edhe në këto momente dinë të vlerësojnë drejt, të shohin drejt dhe të kuptojnë realitetin. Besoj se kjo është një tentativë që ka nisur si një dështim dhe që do të mbetet e tillë
Ne sot e gëzojmë lirinë dhe çdo individ ka të drejtë të përcaktohet për atë që ia ndien shpirti. Duhet ta njohim dhe ta respektojmë lirinë e njëri-tjetrit. Por kjo liri nuk duhet të përdoret për të shprehur mllef apo për të nxitur urrejtje ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj si ne, apo që nuk janë të kënaqur me zgjedhjet që dikush tjetër i ka bërë në jetë.
Pa dyshim, duhet të shpaloset dhe të kundërshtohet çdo kush që synon ta përçajë popullin tonë. Nëse dikush zgjedh një rrugë të caktuar personale, ajo është e drejtë e tij. Por kjo duhet të mbetet çështje personale, e bërë me liri të plotë, pa nxitje, pa interesa dhe pa shtytje nga jashtë.
< Është gabim kur dikush del dhe i fton njerëzit të prishin harmoninë tonë fetare; kur dikush i fton të braktisin një fe, një kulturë apo një traditë. Në fund të fundit, ata kanë të drejtë të shprehen, por edhe ne kemi të drejtë të themi se e kanë gabim. Çdo gjë duhet të ndodhë në frymën e lirisë, të përcaktimit vullnetar dhe të dëshirës personale.
Ka, herë pas here, përpjekje të tilla. Nuk e di nëse janë shprehje të qëllimeve të gabuara apo rezultat i gabimeve të paqëllimshme. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shohim se kush po e dëmton harmoninë tonë të brendshme, dhe të përpiqemi të bashkëbisedojmë me ta. Natyrisht, ligji duhet të veprojë njësoj për të gjithë. Ligji nuk duhet të jetë diçka që na ndan në të pambrojtur dhe në të paprekshëm, por diçka që na barazon në shoqëri.
Në këtë kuptim, unë jam optimist se përpjekjet e tilla, ashtu siç kanë dështuar në të kaluarën dhe po dështojnë në të tashmen, nuk kanë as të ardhme.
Jemi shumë të vetëdijshëm se mund të ketë burime të përpjekjeve për prishjen e harmonisë sonë fetare edhe nga faktorë të jashtëm. Dhe aty suksesi i institucioneve tona nuk është vetëm shprehje e profesionalizmit dhe patriotizmit tonë, por edhe e bashkëpunimit që kemi me bashkësitë fetare këtu. Natyrisht, do ta veçoja Bashkësinë Islame të Kosovës, me të cilën jemi në komunikim të rregullt për çfarëdo elementi apo përpjekjeje që bie ndesh me dashamirësinë dhe traditën tonë të besimit.
Mesazhi nga kjo tryezë është i qartë: dialogu, respekti dhe bashkëpunimi mbeten themeli i një shoqërie të qëndrueshme dhe të bashkuar. Në fund, pjesëmarrësit përcollën edhe një mesazh të përbashkët që paqja, mirëkuptimi dhe toleranca të ruhen dhe të forcohen edhe më tej.
