ShowBizzz

BE miraton mbi 206 milionë euro për Kosovën, fokus te infrastruktura, energjia dhe mjedisi

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë financiare në vlerë prej 206.4 milionë eurosh për Kosovën në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, duke mbështetur projekte në sektorë kyç për zhvillimin e vendit.

Sipas autoriteteve, fondet do të shpërndahen në disa fusha prioritare. Investimi më i madh, 44 milionë euro, do të drejtohet për projekte që lidhen me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, ndërsa 34.5 milionë euro janë planifikuar për sektorin e energjisë.

Një shumë prej 30.5 milionë eurosh do të përdoret për menaxhimin e kufijve dhe migrimin. Ndërkohë, 31.8 milionë euro do të mbështesin rritjen e konkurrueshmërisë, zhvillimin e arsimit dhe krijimin e mundësive për punësim. Për forcimin e qeverisjes së mirë dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian janë ndarë 24.7 milionë euro, ndërsa 15 milionë euro do të investohen në avancimin e sundimit të ligjit.

Përveç kësaj pakete, janë miratuar edhe tri grante shtesë me vlerë të përgjithshme prej 25.9 milionë eurosh për projekte strategjike infrastrukturore. Këto përfshijnë mbështetje për përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, ndërtimin e segmentit rrugor Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe financimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.

Sipas institucioneve, rreth gjysma e fondeve të miratuara do të investohen në projekte infrastrukturore, të cilat do të zbatohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.

Të Ngjashme