Lajme

BE paralajmëron për rrezik të lartë atentatesh terroriste në Europë

Një zyrtare e lartë e BE-së ka paralajmëruar për rrezikun e atentateve në Europë në periudhën e festave të fundvitit.

“Ka një rrezik të lartë të atentateve terroriste”, tha zyrtarja e lartë e BE-së, Ylva Johansson, në Bruksel në kuadër të takimit të ministrave të Brendshëm.

Sipas zyrtares së lartë rreziku i atentateve të shtuara në Bashkimin Evropian vjen si pasojë e trazirave në Lindjen e Mesme, kryesisht lufta mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit.

Për këtë arsye zyrtarja, Ylva Johansson tha se BE-ja ka vënë në dispozicion një fond shtesë prej 30 milionë eurosh për të shtuar sigurinë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser dhe Autoriteti i Mbrojtjes Kushtetuese kanë bërë një paralajmërim të ngjashëm për rrezikun e atentateve terroriste në Europë.

Vetëm në fundjavën e kaluar një islamist vrau një turist gjermano-filipinas në Paris. Atentatori e arsyetoi këtë me dhunën kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.

Kreu i inteligjencës së brendshme gjermane në shtetin lindor të Turingisë, Stephan Kramer, ka paralajmëruar për “potencialin e konsiderueshëm për rrezik” të paraqitur nga simpatizantët e Hamasit, jo vetëm gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve, por edhe përgjatë ngjarjeve kryesore që pritet të ndodhin në 2024-ën, siç janë Olimpiada e Parisit dhe Euro 2024.