Lajme

BE sanksione të reja ndaj Rusisë, Lavrov: Ekonomia ruse do jetë edhe më e fuqishme

Bashkimi Europian vendosi të shtojë sanksionet ndaj Rusisë pas vrasjes së opozitarit dhe kundështarit të Putin, Navalny.

Pas shtimit të sanksioneve, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka dalë në një deklaratë ku thotë se ekonomia e Rusisë do jetë edhe më e fuqishme.

“Rusia do t’i përgjigjet me veprim sanksioneve të reja të afërta amerikane duke forcuar ekonominë e saj dhe duke rritur standardet e jetesës për popullin e saj”. – tha Sergei Lavrov.

“Ju e dini, ne do të përgjigjemi me veprime që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë sonë, evolucionin dhe forcimin e lidhjeve me partnerët, të cilët, ndryshe nga pakica perëndimore që mendon në terma kolonialë dhe neokolonialë, kanë aftësi për të bërë marrëveshje dhe për të ndërtuar lidhjet e tyre ekonomike në interesat e popullit të tyre, duke rritur standardin e jetesës për qytetarët dhe duke siguruar prosperitet”, – tha Lavrov.

“Rusia do të bashkëpunojë me kombet që kërkojnë që të gjitha aktivitetet në sferën e zhvillimit ekonomik “që nuk varen nga ata që janë mësuar të komandojnë ekonominë e botës, të plaçkisin dhe vrasin popujt e vendeve të tjera, të marrin burimet dhe pasuritë e tyre natyrore dhe të jetojnë në kurriz të tyre”, – shtoi kryediplomati rus.

Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, një ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Sot, ne po ashpërsojmë edhe më shumë masat kufizuese kundër ushtrisë së Rusisë dhe sektorit të mbrojtjes”, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate për media.

“Ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të goditur makinerinë e luftës së Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë luftën e saj legjitime për vetëmbrojtje”.

Paketa e 13-të e sanksioneve e bllokut evropian, që lidhet me pushtimin rus të Ukrainës, shënjestron industrinë e mbrojtjes së Rusisë. Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirje të aseteve dhe kufizime të lëvizjes për 106 individë dhe 88 organizata, duke bërë që numri i përgjithshëm i njerëzve dhe grupeve të sanksionuara nga blloku të arrijë në 2.000. Blloku tha se ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe organizatave për shkak të “minimit apo kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.

Në listën e të sanksionuarve janë përfshirë dhjetëra zyrtarë rusë, përfshirë “anëtarë të gjyqësorit, politikanë lokalë dhe persona përgjegjës për dëbimin e paligjshëm dhe riedukimin ushtarak të fëmijëve ukrainas”, u tha në njoftim.

BE-ja po ashtu ka vendosur kufizime ndaj kompanive nga Serbia, India, Shri Lanka, Kina, Kazakistani, Tajvanda dhe Turqia, nën dyshimet se kanë eksportuar produkte në Rusi, që kanë përdorim të dyfishtë, dhe për “mbështetjen e ushtrisë ruse”.

Kufizimet po ashtu janë zgjeruar edhe ndaj komponentëve që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve. Emrat e kompanive do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së brenda disa ditësh. Në përgjigje të lëvizjes së BE-së, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi më 23 shkurt se do të zgjeronte në mënyrë drastike listën e politikanëve dhe zyrtarëve të bllokut të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.

“BE-ja po vazhdon përpjekjet e saj të kota për t’i bërë presion Rusisë përmes masave kufizuese të njëanshme”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo