ShowBizzz

Bebe Rexha thotë se u kërcënua pse foli shqip në aeroportin e Munihut

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka thënë se ka qenë viktimë e një “urrejtjes” pas një incidenti që i ka ndodhur të shtunën në një aeroport të Gjermanisë.

Në një seri postimesh në Instagram, Rexha ka thënë se ishte kërcënuar dhe i ishte ndaluar fluturimi nga Aeroporti i Munihut sepse i ka folur në gjuhën shqipe një personeli të sigurimit.

“Jam kërcënuar sepse kam menduar se sigurimi ishte shqiptar”, ka shkruar Rexha në videon në të cilën shihej duke qarë. “I kam folur shqip duke e pyetur ku ta marr biletën dhe tani po ma ndalon fluturimin”.

Në një tjetër postim ajo ka shkruar se beson që ky është krim urrejtjeje veç pse është shqiptare.

Rexha është ankuar edhe se zyrtari nuk ia ka treguar emrin dhe ka kërkuar hetime për rastin.

Ndryshe, ajo gjatë verës qëndroi edhe në Kosovë ku performoi në Sunny Hill Festival në Prishtinë.



/TeVe