Lajme

Begaj dhe Hasani ndajnë shqetësimin për sulmet terroriste në Ankara: Qëndrojmë me Turqinë!

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë shqetësimin e madh për aktin terrorist në ambjentet e Parlamentit turk në Ankara këtë të diele ku u plagosën disa efektivë të policisë.

Begaj shpreh solidaritetin e tij të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke, për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare dhe më gjerë.

Kreu i shtetit shprehet se akte të tilla terroriste janë qasje e një bote të vjetëruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne.

“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke.

Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë.

Akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetëruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne.” shkruan Begaj në Facebook.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar gjithashtu dhe Ministri i Jashtëm, Igli Hasani i cili shprehet se Shqipëria e dënon ashpër sulmin terrorist në Ankara. Hasani thotë se mendimet tona janë me të lënduarit, teksa i uron atyre shërim të shpejtë.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin terrorist në Ankara. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Turqinë dhe refuzojmë çdo formë të dhunës terroriste. Mendimet tona janë me të lënduarit, teksa i urojmë atyre shërim të shpejtë”, shkruan Hasani në X (Twitter).