Lajme

Beleri në gjyq, akuza ndaj SPAK: Prokurori kërciste stilolapsin, më ka bërë presion

Këtë të martë është duke u zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Fredi Belerit, ku trupa gjykuese pritet të japë vendimin për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili akuzohet për shitje-blerje votash.

Përmes një fjalimi 9 faqesh Beleri deklaroi se kërkesa e Prokurorisë për 2.6 vite burg ndaj tij nuk ka asnjë logjikë. Ai u shpreh se hetimi ndaj tij është politik dhe për të u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë.

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë për sa kohë i duhet Edi Ramës”, tha Beleri.

Ndër të tjera, kryetari i zgjedhur për Bashkinë e Himarës hodhi akuza të forta drejt prokurorisë duke thënë se kanë sajuar provat kundër tij dhe është treguar njëanshmëri në gjykim.

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë përsa kohë i duhet Edi Ramës. Sajesa qesharake të pabazuara. Ky hetim tregon si manipulohet procesi gjyqësor. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh nga trupa e gjykimit. Dosja nuk ka fakte, ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi.

Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë. Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë.

Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera kryetari i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri.

Kujtojmë se SPAK ka kërkuar 2.6 vite burg për Fredi Belerin.  Ai ra në pranga më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe bashkëpuntori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.

Nga hetimet e kryera u mësua se një agjent i infiltruar i Policisë ka përgjuar pazaret që Beleri ka bërë me persona pranë shtabit të tij. Gjithashtu edhe një grua dëshmoi në Polici duke thënë se kryebashkiaku i Himarës, Beleri, tentoi t’ u blejë votën banorëve të Himarës. Për mediat ajo u shpreh se është marrë gjatë orëve të natës për të dëshmuar në Vlorë, pasi janë pyetur nëse u janë premtuar para.

“Ne erdhën na morën në orën 02:00, dhe na thanë që thjesht do vini për në Himarë. Na gënjyen na morën na çuan në Vlorë. Na morën këtu në pyetje si është muhabeti. Thamë që përpara ka ardhur dikush përpara 3-4 ditëve dhe ne ka kërkuar të votojmë për Belerin. I thamë që nuk jemi dakord dhe na premtuan 200 mijë lekë. Kaq është muhabeti”, tha gruaja në maj të vitit të kaluar.

Pavarësisht se ndodhet në qeli Beleri arriti të merrte më shumë vota se kandidati i socialistëve Jorgo Goro, duke u mandatuar nga KQZ si kryetari i Bashkisë së Himarrës. Mirëpo, ende nuk i është lejuar që të betohet.

Theksojmë se çështja “Beleri”, mos lejimi i tij për t’ u betuar ka shkaktuar tensione me fqinjët. Që prej aso kohe kur kryebashkiaku i Himarës ra në pranga, pala greke ka ashpërsuar tonet ndaj vendit tonë. Në dhjetëra deklarata Athina zyrtare ka theksuar se nëse Shqipëria pengon Belerin të marrë detyrën, do të ketë pasoja lidhur me procesit të anëtarësimit. Ndër të tjera, ata janë shprehur se arrestimi i Belerit një ditë para votimeve, interpretohet si frikësimi votuesve, dhe se mbajtja në burgosje është një shkelje e procesit të rregullt ligjor.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo