Modelja e njohur Beniada Nishani ka ndarë së fundmi me ndjekësit një moment nga jeta e saj private, duke publikuar një fotografi në krah të partnerit.
Përmes një postimi në “Instastory”, ish-finalistja e edicionit të parë të “Big Brother VIP Albania” është shfaqur së bashku me partnerin, teksa të dy ndodhen të ulur në krevat.
Fotografinë ajo e ka shoqëruar me një mbishkrim, përmes të cilit ka treguar me humor një nga cilësitë që vlerëson tek ai.
“Është i duhuri kur të bën të gjitha fotot që do dhe nuk ankohet kurrë”, ka shkruar Beniada.

Ky publikim vjen disa muaj pasi modelja konfirmoi për herë të parë se ishte në një lidhje dashurie. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo tregoi se partneri i saj është italian dhe se njiheshin prej vitesh, përpara se miqësia e tyre të shndërrohej në një marrëdhënie romantike.
“Nuk jam single. Është dikush në jetën time. Nuk kam akoma një propozim, as një unazë. Nuk i dihet asnjëherë. Unë jam vajzë e çiltër. Por nga ana personale jam munduar të jem e tërhequr. Të mos i tregoj gjërat pa qenë zyrtare”, deklaronte ajo në atë kohë.
Beniada tregoi gjithashtu se ndihej shumë e lumtur në këtë marrëdhënie, ndërsa zbuloi se kishte qenë partneri ai që kishte marrë iniciativën për ta çuar miqësinë e tyre në një tjetër nivel.
“Njihemi prej kohësh, kemi qenë shokë prej vitesh. Pastaj i mori guximin… sepse jam tradicionale shqiptare me të vjetrën”, shprehej modelja.
Megjithëse ka preferuar ta mbajë kryesisht larg vëmendjes publike identitetin dhe jetën e saj sentimentale, Beniada ka nisur të ndajë herë pas here momente me partnerin në rrjetet sociale.
