Kuriozitete

Ministria e Brendshme nxjerr në konsultim publik planin e ri për Menaxhimin e Integruar të Kufirit

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur zyrtarisht procesin e konsultimit publik për Planin e Veprimit 2026-2027, një dokument thelbësor që pason zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027. Qytetarët, shoqëria civile dhe ekspertët ftohen të japin komentet e tyre mbi efektet e mundshme dhe rritjen e zbatueshmërisë së këtij plani në praktikë.

Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë, vizioni i qeverisë shqiptare mbetet “sigurimi i një qarkullimi të sigurt të shtetasve dhe mallrave nëpërmjet kufirit shtetëror dhe marrja e masave të nevojshme për të parandaluar dhe goditur të gjitha format e krimit ndërkufitar dhe të migrimit të parregullt”.

Tre shtyllat e planit dhe kushtet e integrimit në BE

Projektakti vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj detyrimeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, posaçërisht për përmbylljen me sukses të negociatave për Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), i cili e konsideron menaxhimin e kufirit si një “çështje thelbësore”.

Për të jetësuar këtë vizion, qeveria ka ndërtuar Planin e Veprimit mbi tre qëllime kryesore politike:

  1. Mbrojtja e sigurisë së brendshme dhe “menaxhimi i flukseve migratore, me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt”.
  2. “Lehtësimi i qarkullimit legal të shtetasve dhe mallrave”.
  3. Trajtimi i çdo individi me dinjitet, duke përfshirë “mundësimin e qasjes në mbrojtjen ndërkombëtare të atyre që kanë nevojë”.Për të arritur këto objektiva, dokumenti parashikon ndërhyrje konkrete si përmirësimi i Sistemit për mbikëqyrjen e hapësirës detare, instalimi i radarëve, ngritja e Qendrës Kombëtare të Koordinimit, si dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare (FRONTEX).

    Buxheti prej 32.4 milionë euro

    Një element i rëndësishëm i relacionit është parashikimi dhe mbulimi i plotë i kostove financiare. Sipas Ministrisë, kostoja totale për zbatimin e këtij Plani Veprimi përgjatë dy viteve (2026-2027) vlerësohet në mbi 3.1 miliardë lekë, ose rreth 32.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit (73%) do të shkojë për shpenzime korente, ndërsa 27% për investime kapitale në mjete, sisteme dhe radarë.

    Dokumenti garanton se ky plan nuk paraqet probleme me burimet e financimit. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave, projekti nuk lë “hendek financiar”, pasi shpenzimet janë të mbuluara tërësisht nga dy burime të sigurta: “Programi Buxhetor Afatmesëm 2026-2028: 2,353,017,100 lekë, që përbën 75.3% të kostos totale” dhe “financimi i huaj, nga Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që përbën 24.7% të kostos totale”.

    Afatet dhe mënyra e pjesëmarrjes

    Përfaqësuesit e interesuar të publikut dhe grupet e interesit kanë në dispozicion “20 ditë pune, nga data 3 nëntor 2026 deri më 30 nëntor 2026” për të dërguar kontributet e tyre.

    Komentet mund të përcillen elektronikisht përmes platformës së Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJK), ose përmes postës elektronike drejtuar koordinatores përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    Sipas institucionit, të gjitha sugjerimet do të shqyrtohen dhe “Ministria e Punëve të Brendshme do të përmbledhë të gjitha sugjerimet dhe komentet dhe do të japë sqarime për mënyrën se si ato janë reflektuar, edhe në rast se mendimet nuk reflektohen”.

Të Ngjashme