Lajme

Berisha dhe Bardhi pas mbledhjes së “frytshme” të opozitës, deputeti i “shtrin dorën” Bashës: E ftoj kolegun të na bashkohet

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbardhur takimin e mbajtur ditën e sotme me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët demokratë. Në një deklaratë për mediat, pas këtij takimi, Berisha  tha se ishte një mbledhje shumë e frytshme teksa ritheksoi dhe njëherë qëndrimin e opozitës, duke thënë se  janë të vendosur që mbrojnë votën dhe të gjithë ata që votuan kundër kësaj qeverie.

“Rama po përgatit atentatin më të rëndë në historinë 32-vjeçare ndaj pluralizmit, kërkon ti emërojë opozitës përfaqësuesin e saj  Nga ana tjetër ka të dhëna se ai po përgatit atentatin më të rëndë në historinë 32-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar, po përgatitet të marrë përsipër përdorimin e votave për ti emëruar opozitës përfaqësuesin e saj. Opozita është e vendosur të qëndrojë në të drejtën e saj si opozitë dhe në mbrojtje të opozitarizmit.

Opozita është e vendosur të qëndrojë në mbrojtje të votës, të të gjithë atyre që votuan kundër kësaj qeverie dhe për opozitën.  Në mbledhje u diskutuan dhe çështje të tjera të rendit të ditës. Ranë në ujdi për të gjitha qëndrimet dhe mund të ju them se ishte një mbledhje shumë e frytshme”, tha Berisha.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se janë duke mbajtur të bllokuar Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ai tha se pavarësisht që kreu i grupit të PS-së, Bledi Çuçi i premtoi që kërkesa e tyre për Reformën Zgjedhore do të futej në rend dite, kjo nuk ka ndodhur.

“Për të dalë tek çështje konkrete, kam informuar grupin parlamentar dhe gjithë kolegët për dy komisione hetimore, për abuzimet në sistemin TIMS- dhe kontratat koncesionare në fushën e Shëndetësisë. Së dyti jemi të ndërgjegjshëm se nuk është në interesin e Ramës që të hetohen personat që kanë vjedhur të dhënat në sistemin TIMS. Kryetari i grupit të PS-së u zotua publikisht se në rendin e ditës do të futet çështja e Reformës Zgjedhore, por nuk është futur.

Mazhoranca do të mbajë të bllokuar komisionin e Reformës Zgjedhore. Të ndalosh opozitën që të mos caktojë përfaqësuesit e saj për Komisionin e Reformës zgjedhore kërkon ta hedhësh në erë”, tha Bardhi, teksa më tej i bëri një ftesë publike edhe “ kolegut”  të tij, ashtu si dhe ai i referohet, Lulzim Bashës që t’ i bashkohet opozitës dhe të bëhen bashkë në këtë betejë.

“E ftoj kolegun Basha të vijë në parlament të flasim dhe të bëjmë betejë. Pra mos vijë në parlament vetëm për të votuar. Gjithashtu 2 apo 3 çështje të tjera siç është zgjehdja e presidentit nuk kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Çështjet për reformën zgjedhore propozohen në komisionin e reformës dhe çdo koleg dhe deputetin Basha është i lutur të bëjë çdo përpjekje.  Çdo deputet duhet ti cojë prioritetet në Kuvend”, tha Bardhi.