Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar edhe këtë të enjte fjalimin nga dritarja për mbështetësit e tij.
Ish-kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij iu është drejtuar mbështetësve duke u thënë se ata shumë shpejt këtë rrugë do ta shndërrojnë në “autostradën e shpresës”.
Berisha: “Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore, urimin tim më të zjarrtë, rrugicën e shpresës e inauguruat sonte si Rruga e Shpresës.
Unë kam bindjen se ju, misionarë të vërtetë të shpëtimit të këtij vendi, shumë shpejt këtë rrugë do ta shndërroni në autostradën e shpresës, do ta emërtoni autostrada e shpresës.
Qytetin e Tiranës, mendjen dhe zemrën e kombit, do ta quani qytetin e shpresës, Tiranën e shpresës. Dhe Shqipëria e tërë do jetë Shqipëria e shpresës. Miqtë e mi, shumë armë në betejë të llojeve nga më të ndryshmet mund të ketë njeriu. Por njëra është arma e të gjitha armëve, është superarma e të gjitha kohërave dhe kjo është e vërteta, të cilën ju po mbroni çdo natë, çdo ditë në këtë rrugë.
Nuk ka fat më të madh për njeriun sesa të vendosë të mbrojë të vërtetën.
Asgjë nuk transformon atë sesa ky vendim.
30 e ca vite më parë, unë isha një mjek shumë i pasionuar pas profesionit tim. Jetoja ditë e natë, të gjithë kohën e ndaja mes profesionit dhe familjes, familjes dhe profesionit.
Por, isha krenar se në atë profesion, të vërtetat e tij më dukeshin më të qarta, më të kapshme dhe ato më motivonin. Gradualisht të dashur miq, kuptova se përveç atyre të vërtetave të profesionit, kishte disa të vërteta më supreme, më eprore, më eprore, më hyjnore dhe këto të vërteta ishin liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ishte liria e individit dhe liria kombëtare. Në besimin tim, absolutisht si një ushtar i thjeshtë, u armatosa me këto armë, vendosa të mbroj ato dhe së bashku me studentët dhe qytetarët shqiptarë, ne ndamë epoka, përmbysëm sisteme.
Shqipërinë e morëm nga thellësitë e territ të historisë dhe e anëtarësuam në NATO.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo