Lajme

Berisha zbulon bisedën me Jamarbër Malltezin pas daljes nga burgu

Ish-kryeministri Sali Berisha foli sot në emisionin Open në News 24 në lidhje me lirimin nga qelia të Jamarbër Malltezit.

I pyetur nga moderatorja, Eni Vasili, nëse u takua me dhëndrin, pasi ky i fundit la qelinë, Berisha u përgjigj “po”. Ai tha se dhëndri i tij është i burgosur politik në shtëpi nga Edi Rama.

Pyetje: Malltezin e takuat apo jo, çfarë tha?

Berisha: E takova, ai ka qenë me moral të lartë si një i burgosur politik, i pamposhtura ka qëndruar çdo ditë. Ai ka bërë shkrime, ka reaguar është përgjigjur.

Pyetje: Çfarë tregoi për eksperiencën e burgut?

Berisha: Nuk fola për këtë, por ai ishte në beteje politike, ai po mbronte opozitarizmin. Nuk kishte ç’të ndaja se isha në komunikime konstant. Ai ishte një i burgosur politik, ai e tmerroi nga burgu Edi Ramën.

Më tej Berisha u pyet nëse konsideron të burgosur politikë, Arben Ahmetajn, Vangjush Dakon dhe Lefter Kokën. Ish-kryeministri tha se rastet e tyre nuk ngjasojnë me sartin e Jamarbër Malltezit.

Lexo edhe: Gjykata e Apelit rrëzon SPAK: Nxjerr nga qelia Abi Malltezin dhe e çon “në shtëpi”

Pyetje: Po Ahmetaj, Koka, Dako a janë të burgosur politik?

Berisha: Këta kanë firmat e tyre në afera, me firmat e tyre u janë marrë shqiptarëve rreth 200 mln euro. Për djegësin e Elbasanit qytetarët shqipatrë kanë paguar 21 mln euro. Djegësi ka kushtuar 11 mln euro. Dhe ai ‘spunon. Djegësi i Tiranës, i janë vënë deri më tani nga paratë e shtetet 128 mln euro dhe nuk ekziston. Malltezi ka marrë 410 metër katrorë, i është kthyer sendi i vjedhur nga shteti 60 vite më parë me konsfiskim. Ai jo që s’ka marrë gjë por është gjobitur për sendin e tij të vjedhur. Në këtë aspekt ndryshojnë si nata me ditën.

Jamarbër Malltezi, biznesmeni i “Homeplan” dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha do të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” deri në përfundim të hetimeve për tjetërsimin e pronave të ish-kompleksit Partizani në Tiranë.
Ai qëndronte prej ditësh në masë sigurie “Arrest në burg” dhe pas humbjes së betejës në Shkallën e Parë, bëri ankimim në Apelin e Posaçëm.
Masa për Sali Berishën ka mbetur në fuqi dhe ai duhet të paraqitet në gjykatë dy herë në muaj, kurse Malltezi del sot nga qelia dhe do qëndrojë në shtëpi.