Lajme

“Besoj se do të më votojë”, çfarë deklaronte Meloni dhe “bëmat” e partnerit të saj

“Historia jonë, e cila zgjati gati dhjetë vjet, përfundon këtu”. Këto janë fjalët me të cilat Giorgia Meloni njoftoi fundin e martesës me Andrea Giambrunon në profilet e saj sociale. Një njoftim surprizë, pas daljeve eksplicite të gazetarit të transmetuara nga “Striscia La Notizia”.

Kush është Andrea Giambruno?

Giambruno, një gazetar 41-vjeçar, ka qenë partneri i Melonit për gati një dekadë. Së bashku ata kanë një vajzë 8-vjeçare, Ginevra. Të dy bashkëjetonin në Romë.

Giambruno u diplomua për filozofi në Universitetin Katolik të Milanos dhe filloi të punojë në Mediaset në 2009. Atje ai shkroi disa programe televizive dhe mori pjesë në Quinta Colonna, Matrix, Mattino 5, Stasera Italia dhe Studio Aperto. Ditët e sotme ai prezanton Diario del giorno, në Rete 4.

Ndryshe nga ish-partnerja e tij – pjesërisht për arsye politike – Giambruno nuk frekuenton shumë rrjetet sociale: ai është i pranishëm vetëm në Instagram ku ka një profil që e përdor rrallë.

Qëndrimet politike dhe publike

Giambruno nuk e ka thënë kurrë në mënyrë eksplicite se cili është pozicioni i tij politik. Në të kaluarën, Meloni ka bërë shaka me këtë çështje duke thënë se: “I dashuri im është i majtë, por mendoj se do të më votojë në zgjedhjet e ardhshme”, tha ajo në 2022. “Ne diskutojmë për homoseksualët, çështjet etike, legalizimin e drogave të lehta. Nuk ndajmë të njëtat mendime”.

Sigurisht, qëndrimet publike të Giambrunos në TV që nga zgjedhjet kanë qenë një burim diskutimi: në disa raste ai ka dalë hapur në mbrojtje të qeverisë, si për migrantët dhe dekretin e Caivano-s. Dhe ai e ka mbrojtur me shpirt kryeministren kur ndaj saj janë drejtuar sulme personale.

Rasti më flagrant në vitin 2021, kur një profesoreshë në Universitetin e Sienës e ofendoi rëndë në një transmetim radiofonik. “Ka të mitur që lexojnë plehra të tilla dhe që unë do t’i shpjegoj vajzës sime se sa e guximshme është nëna e saj për atë që ka bërë në jetën e saj”, tha ai gjatë një deklarate për shtyp.

Fraza kontraversale për përdhunimin

Në fund të gushtit, fjalët e Andrea Giambrunos për përdhunimet e vajzave të mitura gjatë verës shkaktuan shumë diskutime. “Nëse shkon për të kërcyer, ke çdo të drejtë të dehesh,” tha ai në TV, “por nëse shmang dehjen dhe pavetëdijen, ndoshta shmang disa probleme”, përndryshe “ujku do të të kapë.”

Një qëndrim që tërhoqi shumë kritika sikurse mbrojtja publike e Giorgia Melonit, e cila në një konferencë për shtyp në Palazzo Chigi tha: “Me fjalët e tij nuk kuptoj ‘Nëse vishni minifund, mund të të përdhunojnë, por diçka më shumë, si ajo që më thoshte nëna ime kur isha e vogël, Sytë hapur dhe kokën mbi supe, sepse fatkeqësisht përdhunuesit ekzistojnë dhe ne nuk duhet të ulim vigjilencën tonë.” Dhe pastaj ajo shtoi: “Giambruno nuk duhet të sulmohet më shumë se sa është normale, vetëm sepse më do”.

Transmetimi i “Striscia La Notizia”

Ndoshta ishte transmetimi i një emisioni të saj televiziv off-air që bënë kryeministren të merrte vendimin e ndarjes. Në imazhet e publikuara nga “Striscia La Notizia”, Giambruno dëgjohet duke bërë shaka me një kolege femër, duke shprehur vlerësime mjaft të qarta për të dhe koleget e tjera femra.