Bill Gates ka pranuar publikisht se ka bërë gabim që ka pasur kontakte me Jeffrey Epstein, duke e cilësuar veten “budalla” për kohën që kaloi me të. Themeluesi i Microsoft tha se i vjen keq për çdo lidhje që ka pasur me financierin e dënuar për abuzime seksuale.
Reagimi i tij vjen pas publikimit të disa dokumenteve ku përfshihej edhe një email i vitit 2013. Sipas Gates, mesazhi në fjalë nuk i është dërguar kurrë atij, pavarësisht se ishte formuluar sikur t’i drejtohej personalisht me përshëndetjen “I dashur Bill”. Ai pretendon se emaili ishte shkruar nga vetë Epstein për veten e tij dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e korrespondencës mes tyre.
Në atë mesazh, Epstein shfaqte pakënaqësi ndaj Gates dhe përmendte çështje të natyrës personale, madje duke aluduar edhe për një kërkesë të supozuar për sigurimin e antibiotikëve që do t’i jepeshin fshehurazi ish-bashkëshortes së Gates, Melinda French Gates.
Gjatë një interviste në Australi, miliarderi theksoi se nuk ka pasur asnjë lidhje me përmbajtjen e atij emaili. “Me sa duket, Epstein i ka shkruar një mesazh vetes. Nuk u dërgua kurrë dhe nuk e di çfarë po mendonte. Jam një nga shumë njerëzit që pendohen që e kanë njohur,” deklaroi ai.
Gates shtoi se kontaktet e tij me Epstein kanë qenë shumë të kufizuara, kryesisht në disa darka, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje tjetër. Ai theksoi se nuk e ka vizituar kurrë ishullin privat të Epstein dhe se nuk ka pasur asnjë përfshirje në sjelljet kriminale të tij. “Sa më shumë fakte dalin në dritë, aq më e qartë bëhet se ajo njohje ishte gabim, por nuk kishte asnjë lidhje me këto veprime të rënda,” përfundoi Gates.
/tiranapost