Lajme

“Bisha është lodhur”, reagon avokati: Ishte status personal

Avokati Artan Simoni, i cili u zëvendësua nga SPAK me një tjetër avokat pas disa postimeve që pretendohet të jenë bërë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ka thënë se statusi ka qenë personal.

Në një lidhje direkte me “Top Story”, avokati deklaroi se statusi ku shkruante “bisha është lodhur”, i cili u interpretua kundër Berishës, ka qenë një status i cili kishte të bënte me gjendjen personale të Simonit.

Ai shtoi se përsa i përket fjalëve të përdorura, ato janë një koncept i përgjithshëm dhe nuk mund të personalizohet.

“Është një status që ka dy ditë dhe thirrja nga Gjykata është bërë sot. Ai është një status i cili ka të bëjë me gjendjen personale timen. Unë kam studiuar histori-filozofi dhe përsa i përket fjalëve të përdorura është një koncept, një fjalë e përgjithshme dhe nuk mund të personalizohet”, deklaroi avokati.

Avokati Artan Simoni, i cili u caktua nga shteti për të mbrojtur ish-kryeministrin Sali Berisha është zëvendësuar me kërkesë të SPAK me një tjetër avokat, nga lista e avokatëve që paguhen nga shteti.

Ky zëvëndësim ka ardhur pas disa postimeve që avokat Simoni kishte bërë në rrjetet sociale kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha, ku e përshkruante këtë të fundit si “bisha është plakur”.

Seanca e radhës për ish-kryeministrin do të zhvillohet nesër në orën 10:00. Sali Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal, teksa i është caktuar masa “detyrim paraqitje”.