Bitcoin ka shënuar rritje të fuqishme gjatë së shtunë, duke tejkaluar nivelin prej 81 mijë dollarësh, përcjell KosovaPress.
Kriptovaluta më e madhe në botë tregtohej rreth 81 mijë e 242 dollarë në kohën e raportimit. Çmimi ishte rritur mbi 4 për qind brenda ditës.
Gjatë tregtimit, Bitcoin arriti deri në 81 mijë e 618 dollarë. Niveli më i ulët ditor ishte rreth 77 mijë e 936 dollarë.
Sipas The Wall Steet Journal rritja është nxitur nga zhvillimet rregullatore dhe rikthimi i interesimit të investitorëve institucionalë.
Sipas të dhënave të cituara nga kjo media, fondet e tregtueshme të Bitcoin regjistruan rreth 160 milionë dollarë hyrje të reja të enjten. Kjo ndërpreu një periudhë dyditore të tërheqjes së kapitalit.
Rritja erdhi pavarësisht dështimit të projektligjit amerikan “Clarity Act” dhe vendimit të Rezervës Federale për rritjen e normave të interesit.
Gjithashtu Barron’s raportoi se Bitcoin ka treguar qëndrueshmëri përballë këtyre zhvillimeve. Brenda 24 orëve, vlera e tij ishte rritur rreth 5.7 për qind.
Rritja e Bitcoin ndikoi edhe në aksionet e kompanive të lidhura me kriptovalutat. Coinbase u rrit rreth 12 për qind, ndërsa Strategy shënoi rritje prej 15 për qind.
Pavarësisht rikuperimit, Bitcoin vazhdon të mbetet mbi 30 për qind nën nivelin rekord të arritur në tetor 2025. Çmimi i tij ndryshon vazhdimisht për shkak të luhatjeve të mëdha në treg.
