Lajme

Biznesmeni me të kaluar kriminale i shpëton paraburgimit, lirohet në arrest shtëpiak për dhunim

Biznesmeni nga Prizreni, Granit Paqarizi, me të kaluar krimianle që përfundoi në ndalim policor nën dyshimet për veprën penale “Dhunimi” ka shpëtuar nga paraburgimi. Edhe pse Prokuroria Themelore në Prishtinë e kërkoi këtë masë sigurie, Gjykata e refuzoi dhe caktoi një masë alternative.

Lajmin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku njoftuan se ndaj Paqarizi është dërguar në arrest shtëpiak.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.P, ashtu që ndaj të njëjtit është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do të zgjasë nga 21.08.2024 deri më datë 20.09.2024.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës, pa dhënë detaje mbi këtë vendim.

Paqarizi u arrestua dhe u ndalua për veprën penale “Dhunimi”, që dyshohet se e ka kryer para disa ditësh në një motel në Fushë Kosovë.

Pasi u lirua, ai doli me një postim në Facebook, duke mos treguar se i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, por duke lëshuar akuza se gjoja rasti ka të bëjë me shantazh dhe është i montuar.