Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka marrë afër vetes një tjetër ish-vartës së tij. Bëhet fjala për Sokol Dumën, i cili është emëruar ditën e sotme në postin e zv.Ministrit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Këshilli i Ministrave këtë të mërkurë mori një sërë vendimesh, ku mes tyre edhe emërimin e Dumës në postin e zv.Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sokol Duma prej vitesh ka qenë në krah të Blendi Gonxhes, që kur ai ishte në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Ai ka mbajtur postin e Këshilltarit për Sigurinë Rrugore në Kabinetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
VE N D I M PËR EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Sokol Duma emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Ndërkohë kujtojmë se një tjetër bashkëpuntore prej vitesh e ministrit Goxhe u emërua në postin e zv.ministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Lira Pipa në janar të këtij viti mori postin e zv.ministres, me të cilën ministri ka pasur dhe një raport shoqëror mjaft të ngushtë.
Këtë fakt e ka treguar dhe vetë Gonxhe në rrjetet e tij sociale, kohë kur ishte drejtori i DPSHTRR, ndërsa Lira Pipa mbante postin e Drejtores së Kabinetit. Ata bashkëpunojnë që prej vitit 2016 kur Gonxhja mbante ende postin e Drejtorit të Përgjithshëm te Angjecia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo