Lajme

Blinken takohet me Presidentin e Autoritetit palestinez, i ofron ndihmë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar një takim me presidentin e Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas. Ashtu si dhe ishte njoftuar më herët zyrtari amerikan takoi Abbas ku dhe i ofroi ndihmë humanitare për banorët e Gazës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se sekretari Blinken ka theksuar gjatë takimit se palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.

“Sekretari Blinken dhe zoti Abbas diskutuan përpjekjet për të rikthyer qetësinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor, përfshirë nevojën për të ndaluar dhunën ekstremiste kundër palestinezëve dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që sulmojnë palestinezët”, ka thënë Miller.

Gjithashtu, zëdhënësi ka bërë me dije se Blinken gjatë këtij takimi ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për avancimin e masave të barabarta të dinjitetit dhe sigurisë si për palestinezët, ashtu edhe për izraelitët.

“Sekretari Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për avancimin e masave të barabarta të dinjitetit dhe sigurisë si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët. Sekretari Blinken shprehu gjithashtu angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të punuar drejt realizimit të aspiratave legjitime të palestinezëve për krijimin e një shteti palestinez”, shtoi ai.