Lajme

Blloku A4 ndalet sonte në mesnatë, do t’i nënshtrohet remontit vjetor

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A4 do të ndalet sonte në mesnatë dhe do t’i nënshtrohet remontit vjetor.

Në njoftimin e KEK theksohet se kjo do bëhet në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat kur kërkesat për energji elektrike shënojnë rritje.

“Remonti vjetor i njësisë A4 përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KEK-ut për ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin. Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese, synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor”, theksohet në njoftim.

Theksohet se aktivitetet e remontit vjetor kanë për qëllim inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, rritjen e besueshmërisë operative, përmirësimin e performancës teknike dhe sigurimin e operimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës.

Të Ngjashme