Lajme

​BMW X6 i kërkuar nga Gjermania sekuestrohet në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë dhe ekipin për Hetimin e Autokrimeve, ka realizuar operacionin për sekuestrimin e një automjeti BMW X6, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.

Sipas Prokurorisë, informacioni për automjetin ishte pranuar nga autoritetet kompetente të Gjermanisë përmes zyrës së ILECU-së. Automjeti ishte kërkuar në kuadër të një procedure penale ndaj shtetasit kosovar Sh.Q. në Gjermani, nën dyshimin për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.

Pas lokalizimit, më 7 gusht 2026 automjeti është sekuestruar, ndërsa Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar ndalimin e përkohshëm të tij.

Pas përfundimit të veprimeve të nevojshme procedurale, më 14 gusht 2026, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar kthimin e automjetit te pronari i tij, shtetasi gjerman R.D.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për trajtimin efikas të rasteve penale dhe zbatimin e ligjit.

Të Ngjashme