Dorëheqja e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe zhvillimet e fundit rreth rikthimit në Kuvend të ligjit për Gjykatën Speciale, kanë nxitur debate për të ardhmen e kësaj partie dhe për raportet ndërmjet grupeve të ndryshme brenda saj.
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se PDK-ja po kalon një periudhë të ndërlikuar, në të cilën përplasjet e brendshme dhe mungesa e një konsensusi për drejtimin e ardhshëm mund ta vështirësojnë procesin e reformimit.
Sipas tij, Hamza kishte arritur përkohësisht t’i afronte grupet kundërshtare, ndërsa dorëheqja e tij e ka rikthyer partinë përballë sfidave të pazgjidhura.

Analisti politik Gani Qarri
Qarri e lidh këtë situatë edhe me mospajtimet rreth ligjit për Gjykatën Speciale, duke theksuar se presioni për miratimin e tij dhe kërkesa e mëvonshme për rikthim në Kuvend kanë shkaktuar pakënaqësi brenda PDK-së.
Ai vlerëson se, nëse kjo situatë nuk shfrytëzohet për një reformim të thellë, partia rrezikon të përballet me ndarje të mëtejshme. Ndërkohë, si emra që mund të përfshihen në garën për kryetar të ri, përmend Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Vlora Çitakun.
Sipas analistit Gani Qarri, dorëheqja e Bedri Hamzës erdhi në një moment të ndjeshëm për PDK-në, kur partia përballet me mospajtime të brendshme dhe vështirësi për të gjetur një figurë që mund të sigurojë pajtimin ndërmjet grupeve të ndryshme.
Ai thotë se Hamza kishte ardhur në krye të partisë si figurë konsensuale, duke krijuar pritshmëri për stabilizimin e situatës.
“Siç dihet edhe nga opinioni i gjerë, Bedri Hamza ishte zgjedhur kryetar i PDK-së me marrëveshje, jo me votimin e anëtarësisë as të kryesisë së partisë, dhe erdhi në momente mjaft kritike me një predispozitë të konsensusit të përgjithshëm dhe si figurë stabilizuese që solli stabilitet brenda partisë. Ai u dëshmua si udhëheqës unifikues dhe i hapur edhe për bisedime, konsensus e kompromise të nevojshme politike me partitë e tjera rivale”, shprehet Qarri.
Megjithatë, sipas tij, stabilizimi i arritur gjatë drejtimit të Hamzës nuk i ka zgjidhur problemet themelore të partisë.
“Para ardhjes së z. Hamza, gjendja në PDK ishte mjaft e komplikuar, por, megjithë kontributin e dhënë, po dëshmohet se z. Hamza u përdor vetëm si mirëmbajtës dhe menaxher i përkohshëm i situatës për një fazë të shkurtër kalimtare, dhe jo si zgjidhje afatgjatë. Ai arriti t’i qetësonte për një kohë zërat kundërshtues brenda grupimeve të brendshme, duke manovruar mirë edhe me individët dhe grupet që kundërshtonin me çdo kusht vazhdimin e qeverisjes së kryeministrit Kurti”, deklaron analisti.
Qarri shton se, edhe pas miratimit të ligjit në Kuvend, Hamza ishte kritikuar nga kundërshtarët e vazhdimit të bashkëpunimit politik me LVV-në.
Një nga çështjet kryesore që Qarri e lidh me zhvillimet e fundit brenda PDK-së është procesi i miratimit të ligjit për Gjykatën Speciale dhe kërkesa e mëvonshme për rikthimin e tij në Kuvend.
Sipas tij, Hamza është përballur me presion të madh për të mbështetur miratimin e ligjit brenda një afati të ngushtë, ndonëse, sipas vlerësimit të analistit, ekzistonin shqetësime lidhur me procedurën dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Problemi madhor që para dhe pas dorëheqjes vazhdon të rëndojë mbi z. Hamza, është imponimi i diktuar nga të fortit e PDK-së, që të insistohej me këmbëngulje për miratimin medoemos të ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend, para afatit të paraparë ligjor prej 72 orësh. Ani pse dihej mirëfilli edhe nga ata dhe kryesia e PDK-së, se miratimi i ligjit me shpejtësi nga Kuvendi nuk ishte në përputhje as me Kushtetutën e Kosovës, as me obligimet ndërkombëtare dhe rrezikohej që me kohë të kontestohej në organet gjyqësore, si dhe të rrëzohej nga Dhomat Kushtetuese të Gjykatës Speciale apo edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, thekson Qarri.
Ai e konsideron të rëndësishme edhe marrëveshjen politike që, sipas tij, ndihmoi në tejkalimin e bllokadës institucionale dhe në arritjen e një dakordimi për çështjen e presidentit.
“E mira madhore e këtij ligji ishte se ai krijoi efekte shumë pozitive, detyroi të dy partitë kryesore parlamentare për marrëveshje parimore dhe arritjen e një konsensusi me ndarjen bashkërisht ‘win-win’ të fitores politike, që mundësoi tejkalimin e ngërçit të gjatë politik dhe bllokadës institucionale më se dyvjeçare. Për këtë duhet falënderuar dy figurat prijëse të këtyre partive, kryeministrin dhe kryetarin e LVV-së, z. Albin Kurti, si dhe ish-kryetarin, tanimë të dorëhequr të PDK-së, z. Bedri Hamza, për arritjen e dakordimit që, bashkë me miratimin e ligjit, të votohej edhe presidentja e shtetit”, shprehet ai.
Megjithatë, Qarri vlerëson se kërkesa e mëvonshme e vetë PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend ka thelluar mospajtimet dhe ka nxitur reagime brenda partisë.
Sipas tij, kjo situatë ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si po merren vendimet brenda PDK-së dhe për presionin që mund të jetë ushtruar ndaj kryetarit të dorëhequr.
Qarri i referohet edhe reagimit të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili, sipas tij, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së partisë deri në mesnatën e 22 tetorit dhe mbledhjen urgjente të Këshillit Drejtues brenda 48 orëve.
Analisti thotë se Haxhiu e konsideron kërkesën për rikthimin e ligjit si veprim që prek çështje të ndjeshme për UÇK-në, të akuzuarit dhe të dënuarit në Hagë, si dhe interesat e shtetit të Kosovës.
“ I pakënaqur me gjendjen e krijuar, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për rikthimin e ligjit të Gjykatës Speciale në Kuvend e konsideron edhe lojë me UÇK-në, me fatin e të dënuarve në Hagë dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, për interesa politike, të cilat i atribuon si çështje që prekin themelet e lirisë, nëpërkëmbin sakrificën e popullit dhe cenojnë rëndë edhe dinjitetin e vendit”, thotë Qarri.
Ai shton se kërkesa e deputetit për ndryshime të menjëhershme në udhëheqjen e partisë pasqyron shkallën e pakënaqësisë së krijuar.
“Ndaj dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të gjithë kryesisë së PDK-së, që natën e 22 tetorit 2026, si dhe thirrjen brenda 48 orëve të mbledhjes urgjente të Këshillit Drejtues, duke përkujtuar se ky është momenti vendimtar për përgjegjësi dhe ndërmarrjen e masave konkrete, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet dhe mënjanuar që ky subjekt politik, nën tronditjen më të rëndë të njohur deri më tani, të shkapërderdhet tërësisht dhe ndahet në disa grupe apo fraksione rajonale”, citon analisti reagimin e Haxhiut.
Duke folur për strukturën e brendshme të partisë, Qarri pretendon se në PDK ekzistojnë së paku tri grupime të fuqishme, ndërsa nuk përjashton mundësinë që numri i tyre të jetë edhe më i madh. Sipas tij, këto grupe kanë interesa dhe qëndrime të ndryshme për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Ai e përshkruan situatën si një krizë që nuk mund të zgjidhet vetëm me zgjedhjen e një kryetari të ri, pa u trajtuar paraprakisht mospajtimet dhe raportet e brendshme.
“Kjo është pasoja e parë e rëndë e dorëheqjes së z. Bedri Hamza nga pozita e kryetarit të PDK-së dhe ndikimi më negativ i deritanishëm që prodhoi ky vendim për të ardhmen dhe vazhdimësinë politike të PDK-së, pas konfliktit të paradokohshëm publik ndërmjet kryetarit faktik të kësaj partie, Sami Lushtakut, dhe kryetarit të Drenasit, z. Ramiz Lladrovci”, shprehet Qarri.
Sipas tij, dorëheqja e Hamzës mund të shndërrohet në pikë kthese për partinë, por kjo do të varet nga mënyra se si do të menaxhohet procesi i ardhshëm.
“Dorëheqja, nëse nuk shfrytëzohet racionalisht për reformimin e thellë e rrënjësor të partisë dhe hapjen e rrugës për vendosjen në krye të saj të figurave të reja, të pakontaminuara me politikat e deritanishme, mund të çojë në shkapërderdhjen totale dhe ndarjen në fraksione rajonale, nëse nuk shuhet fare si subjekt parlamentar politik dhe mbetet vetëm grupim rajonal i Drenicës, i përqendruar kryesisht në Skënderaj dhe rrethinë, në krye me Sami Lushtakun”, deklaron analisti.
Qarri vlerëson se PDK-ja ka nevojë për ndryshime më të gjera sesa zëvendësimi i kryetarit, duke përfshirë mënyrën e vendimmarrjes dhe raportet ndërmjet grupeve që kanë ndikim në strukturat e saj.
Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar edhe te emrat që mund të përfshihen në garën për kryetar të ri të PDK-së. Qarri përmend Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Vlora Çitakun si figura që mund të përfitojnë nga procesi i ri zgjedhor brenda partisë.
Megjithatë, sipas analistit, secili prej tyre mund të përballet me kundërshtime nga grupet e ndryshme brenda PDK-së, për shkak të lidhjeve politike dhe perceptimeve që ekzistojnë rreth tyre.
“Ndërsa kandidatët potencialë për kryetar të ardhshëm dhe ata që mund të përfitojnë nga procesi i ri zgjedhor në PDK konsiderohen se janë ish-kryetari i përkohshëm i PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetari i degës në Prishtinë, Uran Ismaili, dhe udhëheqësja e përkohshme e partisë, Vlora Çitaku. Njëri prej tyre, apo ndoshta dy nga ta, mund edhe të propozohen si kandidatë për kryetar të ardhshëm, me ç’rast pritet të përfitojnë politikisht nga procesi i ri zgjedhor brenda PDK-së, duke marrë postin e të parit të saj, por ndoshta vetëm përkohësisht dhe pa mundësi të mënjanimit të mospajtimeve brenda saj”, thekson Qarri.
Ai përmend edhe rezervat që, sipas tij, mund të shprehen ndaj secilit prej këtyre emrave.
“Për secilin nga këta tre emra pritet të shprehen edhe mospajtime të hapura: për zonjën Çitaku, se është idhull e Hashim Thaçit; për z. Uran Ismaili, se është nxënës i Kadri Veselit; ndërsa për z. Enver Hoxhaj të shkohet edhe më larg dhe të përshkruhet si individ anti-UÇK, për shkak të një deklarate të tij të vjetër të bërë në Vjenë, gjatë viteve të luftës, se nëse fiton UÇK-ja në Kosovë, ai do të kërkonte azil në Beograd. Këto janë vetëm disa nga shkëndijat të cilat mund ta ndezin sërish situatën edhe ashtu tejet shpërthyese dhe shumë kaotike në PDK”, përfundon Qarri.
Sipas vlerësimit të analistit, sfida kryesore e PDK-së në këtë fazë nuk është vetëm zgjedhja e pasuesit të Bedri Hamzës, por edhe gjetja e një formule që do të mundësonte bashkimin e strukturave të saj dhe shmangien e përçarjeve të mëtejshme.
