Lajme

Bombardime të vazhdueshme, Izraeli bën thirrje që të evakuohet spitali në Gaza

Disa raketa kanë rënë fare pranë spitalit Al Quds në Gaza. Pamjet tregojnë panikun që është shkaktuar në spital, ku ndodhen të strehuar rreth 14.000 palestinezë të pastrehë.

Mediat e huaja raportojnë se Izraeli ka njoftuar Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze për të evakuuar menjëherë spitalin Al Quds në Rripin e Gazës.

Megjithatë, Gjysmëhëna e Kuqe tha se brenda spitalit po trajtohen 400 pacientë dhe se zhvendosja e tyre do të ishte e pamundur.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se paralajmërimi është shqetësues.

“Raporti i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze për kërcënimet për evakuimin e spitalit Al Quds në Gaza është shumë shqetësues. E përsërisim se është e pamundur të evakuohen spitalet plot me pacientë pa vënë në rrezik jetën e tyre”, tha ai.