Lajme

Britania sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny, kritiku më i madh i Putinit

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione kundër gjashtë drejtuesve të burgut rus në Arktik ku ndërroi jetë lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny.

BBC bën me dije se masa e sanksioneve kundrejt drejtuesve të burgjeve i ndalon gjithashtu ata që të udhëtojnë drejt Britanisë. Liderët perëndimorë thonë se fajin për vdekjen e Navalny e kanë autoritetet ruse, përfshirë këtu presidentin Putin.

Qeveria britanike ka kërkuar gjithashtu që trupi i Navalny t’i dorëzohet menjëherë familjes së tij dhe të bëhet një hetim i plotë dhe transparent për vdekjen e kritikut më të madh të Vladimir Putin.

Teksa njoftoi sanksionet për 6 drejtuesit e burgut, Lord Cameron tha se është “e qartë se autoritetet ruse e shihnin Navalny-n si një kërcënim dhe ata u përpoqën vazhdimisht ta mbyllnin atë në heshtje”.

“Askush nuk duhet të dyshojë në natyrën shtypëse të sistemit rus,” shtoi ai. “Kjo është arsyeja pse ne sot po sanksionojmë zyrtarët më të lartë të burgut përgjegjës për paraburgimin e tij në koloninë penale ku ai kaloi muajt e fundit.

Ndërkohë, kryeministri Rishi Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po shqyrtojnë “të gjitha opsionet për të kërkuar llogari nga Rusia dhe Putini për vdekjen e Navalnyt”.

Nëna dhe gruaja e Alexei Navalnyt i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që tju japë trupin që ta varrosin me dinjitet.

Nëna e Alexei Navalny i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë Vladimir Putinit për kthimin e trupit të djalit të saj. Në një video të postuar në YouTube, 69-vjeçarja  Lyudmila Navalnaya, duke qëndruar jashtë burgut në Arktik, ku vdiq Navalny, bëri thirrje që të mund të marrë trupin e djalit.

“Po ju drejtohem, Vladimir Putin, sepse zgjidhja e këtij problemi varet vetëm nga ti. Më lër të shoh djalin tim më në fund. Kërkoj që trupi i Alexeit të lirohet menjëherë në mënyrë që ta varros në mënyrë humane”, tha ajo.

Po ashtu bashkëshortja e Navalny, Yulia Navalnaya bëri një apel të ri për kthimin e trupit të burrit të saj.

“Nuk më intereson sesi zëdhënësi i vrasësit komenton fjalët e mia. Kthejeni trupin e Alexeit dhe lëreni të varroset me dinjitet, mos i pengoni njerëzit t’i thonë lamtumirë”, tha ajo.

Navalny vdiq të premten në koloninë penale të Arktikut, ku po vuante një dënim 19-vjeçar me akuzën për ekstremizëm.

Alexei Navalny jetoi dhe vdiq duke luftuar kundër regjimit të Vladimir Putin dhe korrupsionit të tij. Ai ishte njeriu i vetëm i aftë të nxirrte dhjetëra mijëra në rrugë duke bërë thirrje për një Rusi pa Putin dhe njeriu i vetëm që presidenti i Rusisë refuzoi të përmendte me emër.

Navalny për disa vite u bë “ferri” i Putinit, pasi nuk ndalonte pavarësisht arrestimeve apo paraqitjeve në gjykata, por gjithçka do të ndryshonte në 2020, ku u bë tentativa e parë për ta helmuar.

I helmuar gjatë një misioni në Tomsk

Navalny në 2020 po zhvillonte një vizitë në Siberi, ku po mblidhte disa fakte në lidhje me një çështje, kur u helmua në një dhomë hoteli. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua teksa ishte në fluturim për në Moskë.

Ai u dërgua me urgjencë në Berlin, ku ra në koma dhe iu deshën disa muaj që të rikuperohej gjendja e tij shëndetësore. Në një laborator ushtarak gjerman identifikoi helmin në fjalë. Ishte novichok, agjenti nervor i klasës së armëve.

Helmimi në burg

Në prill të 2023 Navalny u përballur me dhimbje të forta stomaku në burg që dyshohej se ishin si rezultat i helmit me veprim të ngadaltë. Ai u dërgua në spital, pas thirrjeve të SHBA, e cila paralajmëroi se nëse Navalny do të vdiste në burg do të mbanin përgjegjësi.

Burgosja e Navalny

Navalny ka qenë në burg që nga viti 2021 dhe në dhjetor ai u transferua në një koloni penale arktike në Siberi. Akuzat kundër Navalny, një prej kritikëve më të zhurmshëm të Vladimir Putinit, shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Ai fillimisht u dënua me tre vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht. Në shkurt 2022, ai u vu sërish në gjyq. Këtë herë u akuzua se vodhi 4.7 milion dollarë (3.5 milion £) donacione të dhëna për organizatat e tij politike.

Ai u shpall fajtor dhe u urdhërua të kalonte nëntë vjet në një “koloni penale të regjimit të rreptë”. Dhe në gusht të vitit të kaluar, ky dënim u zgjat në 19 vjet pasi ai u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, akuza që ai i ka mohuar.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo