Lajme

Bugaqku: Zhgënjimi me partitë dhe gjendja ekonomike ulën daljen në zgjedhje

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Bugaqku tha se votat e diasporës mund të kenë ndikim kryesisht te Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa nuk pret ndryshime të mëdha te partitë e tjera.

“Vota e mërgatës mund të ndikojë te VV-ja, e cila mund të arrijë deri në 50 ulëse në Kuvend. Te LDK-ja dhe PDK-ja nuk pres më shumë se një ulëse shtesë, ndërsa për partitë e tjera nuk pres ndonjë ndikim të madh nga vota e diasporës. Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha në ndarjen e ulëseve”, ka thënë Bugaqku.

Ai ka folur edhe për arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në rënien e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.

“Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë situatë. Së pari, qytetarët janë të zhgënjyer me sjelljen e partive politike dhe me qasjen që kanë pasur liderët politikë. Në 16 muajt e fundit kemi pasur procese të shpeshta zgjedhore dhe një klimë të vazhdueshme politike”, u shpreh ai.

Sipas Bugaqkut, mungesa e konsensusit ndërmjet partive dhe dështimi për të arritur marrëveshje politike ka ndikuar gjithashtu në humbjen e besimit të qytetarëve.

“Partitë politike nuk kanë treguar gatishmëri dhe seriozitet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer dhe të frustruar, sepse konsiderojnë se vota e tyre nuk është trajtuar me përgjegjësinë e duhur”, tha ai.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët, sipas tij, është edhe gjendja ekonomike në vend.

“Gjendja ekonomike është e rëndë dhe qytetarët nuk po shohin më shumë shpresë se partitë politike po i kryejnë detyrat e tyre në përputhje me interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Bugaqku.

Ai vlerësoi se rikthimi i besimit të qytetarëve në proceset demokratike do të varet nga aftësia e partive politike për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen qytetarët.

Të Ngjashme