Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke theksuar se në gjashtë muajt e parë të vitit është shpenzuar vetëm 37 për qind e buxhetit të planifikuar.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka bërë të ditur se nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për investime kapitale gjatë këtij viti, janë shpenzuar 377 milionë euro, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të parealizuara.
Ai ka theksuar se në shumën e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro të paguara në bazë të vendimeve gjyqësore. Sipas tij, kjo nënkupton se vlera reale e investimeve kapitale të realizuara është 295 milionë euro.
Hoti ka publikuar edhe të dhënat për nivelin e realizimit të investimeve kapitale sipas ministrive, ku vërehen dallime të theksuara në përqindjet e shpenzimit të buxhetit.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka realizuar asnjë për qind të investimeve të planifikuara, ndërsa Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka realizuar vetëm 1 për qind.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka realizuar 9 për qind të investimeve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës 11 për qind, ndërsa Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 15 për qind.
Përqindje të ulëta të realizimit janë regjistruar edhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, me nga 24 për qind, në Ministrinë e Mbrojtjes me 29 për qind, si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit me 35 për qind.
Këto të dhëna, sipas Hotit, dëshmojnë për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale gjatë periudhës së parë të vitit.
