ShowBizzz

Bujaka flet pa filtra: Nga të pathënat për Mozën deri te personi që duhet t’i kërkojë falje

DJ Bujaka, një prej personazheve më të komentuar të edicionit të tretë të “Ferma VIP”, ka folur për eksperiencën e tij në reality show, marrëdhëniet me ish-fermerët dhe jetën pas përfundimit të formatit.

Në një intervistë për revistën “Bordo”, ai ka treguar se pjesëmarrja në “Ferma VIP” i ka dhënë mundësinë të prezantojë para publikut karakterin e tij ashtu siç është. Sipas Bujakës, reagimet që ka marrë pas daljes kanë qenë kryesisht pozitive, ndërsa veçon mbështetjen nga publiku familjar.

“Kam marrë shumë komente sidomos nga nënat dhe gjyshet, por edhe nga shumë baballarë që më ndalin në rrugë e më thonë: ‘Kam votuar për ty, je njeri i drejtë’”, ka treguar ai.

Një nga temat që ka marrë vëmendje gjatë intervistës ka qenë raporti me Mimoza Ahmetin, fituesen e këtij edicioni. Dyshja pati një krisje gjatë ditëve të fundit të qëndrimit në fermë, por Bujaka thotë se mosmarrëveshjet tashmë i përkasin së shkuarës.

“Krisja u harrua. Unë dhe Moza jemi njerëz të rritur dhe ne i falim njerëzit”, është shprehur DJ-i, duke konfirmuar se miqësia mes tyre vazhdon edhe jashtë formatit.

Madje, raporti mes tyre tashmë është zhvendosur edhe në muzikë. Bujaka dhe Mimoza kanë përfunduar videoklipin e një kënge të përbashkët me titull “Lule Mimoza”, e cila pritet të publikohet së shpejti.

Ai ka treguar se projekti muzikor ishte përgatitur prej rreth dy vitesh, por bashkëpunimi me Mozën erdhi pikërisht pas eksperiencës së tyre të përbashkët në “Ferma VIP”. Kur u pyet se cili kishte qenë “aktori më i mirë” brenda formatit, Bujaka zgjodhi pikërisht Mozën.

Ndryshe ka folur kur është pyetur nëse ekziston dikush që duhet t’i kërkojë falje pas përfundimit të spektaklit.

“Besoj se falje duhet të më kërkojë Iliri”, deklaroi Bujaka, duke iu referuar Ilir Shaqirit, por pa u ndalur më tej te arsyet e këtij qëndrimi.

DJ-i pranoi gjithashtu se brenda fermës kishte pasur persona që, sipas tij, silleshin mirë përballë tij, por nuk ishin po aq të sinqertë pas shpine. Megjithatë, ai zgjodhi të mos përmendte emra.

Sa i përket rezultatit të garës, Bujaka pranoi se gjatë rrugëtimit e kishte menduar edhe mundësinë e fitores. Pavarësisht se trofeu nuk shkoi tek ai, Çmimin e Publikut e konsideron një prej vlerësimeve më të rëndësishme që mori nga eksperienca.

Pas daljes nga “Ferma VIP”, angazhimet profesionale janë shtuar ndjeshëm, çka sipas tij e ka bërë më të vështirë balancën mes koncerteve dhe kohës me familjen. Bujaka tregoi se po përpiqet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të vijuar projektet e tij, edhe pse pranon se koha me bashkëshorten dhe familjen ka qenë më e kufizuar.

Ndërsa për një tjetër reality show, ai nuk e përjashton mundësinë e rikthimit, por vendos një kusht: formati duhet të ketë sfida dhe aktivitete, pasi një program i ndërtuar vetëm mbi debate nuk do t’i përshtatej karakterit të tij.

Të Ngjashme