Bujar Hudhri, botues i Ismail Kadaresë, në një intervistë për Top Channel ka treguar se si ishte gjendja shëndetësore e shkrimtarit para se të ndërronte jetë.
Bujari thekson se Kadare ka qenë i dobët fizikisht, por me një dëshirë të madhe për të dalë dhe për të takuar miqtë e tij. “Nuk e kisha menduar një lajm të tillë, kam menduar që një shkrimtar i madh si Kadare nuk i përket kësaj bote, por një planeti paralel të letërsisë. Më trishton që Kadare më thoshte që shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit dhe më shumë se kurrë i ndjej këto fjalë. Unë e kam ndjerë gjithmonë këtë raport timin, unë jam botuesi i tij”, u shpreh ai.
I pyetur se nëse iku me ndonjë merak Kadare, Hudhri tha, “Mendoj që ka ikur i lumtur, edhe pse nuk i shkon letërsisë së tij kjo fjalë. Ishte i lumtur që vjet Onufri nxori veprën e tij të plotë, që koicidonte 70 vjet me letërsinë e tij, në ato 7 vëllime herë 1000 faqe, jam i lumtur që kjo vepër madhështore u promovua në panairin e librit në Prishtinë. Ishte një atmosferë që Kadare u ndje shumë mirë”.
Në lidhje me gjendjen shëndetësori, botuesi u shpreh se ai ka qenë i dobët fizikisht, edhe pse dëshira e tij ka qenë të dilte, “Ka qenë i dobët fizikisht, kishte dëshirë të dilte, dilte me vështirësi. Dilte te kafja e tij e preferuar, me miqtë e tij. Ishte në Tiranë dhe kanë qenë orët e tij më të bukura në kafene duke biseduar dhe takuar njerëz”.
Më tej ai shtoi se Kadare është pjesë e thesarit botëror dhe se ka marrë çmimet më të larta, vlerësimi më i madh është që është në panteonen e letërsisë botërore, “Një shkrimtar nuk ka lindje dhe vdekje, nuk ka një kufi kohor”.
bal