Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, është shprehur këtë të premte, në 8 Marsin e grave dhe vajzave, se burgu i tyre në “Ali Dem” pritet të mbyllet dhe të dënuarat mund të zhvendosen në Burgun e Pogradecit. Në këtë IEVP mobilimi përfundon brenda marsit dhe standardet e trajtimit do të jenë më të mira.
“Ky institucion ofron kushte për trajtimin e grave jo në parametrat e duhura. Nuk janë kushtet të pabanueshme, as shumë të vështira. Janë kushte optimale por jo ato që duhen të jenë. Po shikohet mundësia e lëvizjes nga ky institucion.
Është diskutuar zhvendosja në Pogradec. Atje është drejt përfundimit të mobilimit brenda marsit mbaron mobilimi i brendshëm. Plotëson të gjitha standardet e trajtimit të gjitha grave dhe vajzave të dënuara. Por do të bëhet pas amnistisë”, është shprehur Manja.
Në Burgun e “Ali Demit” në Tiranë pritet të qëndrojnë vetëm gratë dhe vajzat që marrin dënime të ulta. Ministri i Drejtësisë është ndalur dhe tek ligji për amnistinë, nga i cili përfitojnë edhe shumë të dënuara gra, por që për shkak të përplasjeve politike është bllokuar.
“U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi në Kuvendin e Shqipërisë, pa përjashtim… dhe një nga arsyet se unë pres ditën kur ta fusim në rendin e ditës (amnistinë), ka të bëjë me votën që duhet të marrë, jo thjesht 84 vota.
Unë kam thënë se ky ligj, amnistia, që ka 4 vjet që nuk është bërë të marrë votën e të gjithë deputetëve. E kam thënë që ditën e parë, nëse problemi është ai amendament, ne kemi deklaruar, jemi të gatshëm të tërhiqemi, sepse nuk ka qenë në versionin fillestar të amnistisë”, ka vijuar Ulsi Manja.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo