Analisti, Ardian Bytyqi ka komentuar raportimet se pesë vagonë të ndërmarrjes publike Trainkos janë dërguar për riparim në Zrenjanin të Serbisë, në dhjetor të vitit 2024.
Reagimi i tij vjen pas publikimit të një dokumenti nga ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, sipas të cilit një komision i caktuar nga Trainkosi kishte vizituar Serbinë më 7 nëntor 2024 për të testuar vagonët e riparuar.
Bytyqi ka thënë se, sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe Trainkosi nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendin ku kryhet riparimi i vagonëve, pasi përzgjedhja e kompanisë bëhet përmes procedurave të tenderimit.
“Aleanca fillimisht është dashur të hulumtojë nëse ka ndonjë të keqe rreth këtyre vagonëve. Me sa kam lexuar më herët, kompania që i ka marrë për riparim këta vagonë është e burrit të një ish-kandidateje të Aleancës në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Mbase tenderin ajo kompani e ka fituar nga Trainkosi, por as Trainkosi dhe as Qeveria e Kosovës nuk mbajnë përgjegjësi. Në fakt, nuk do të duhej të mbanin përgjegjësi për vagonët dhe se kush mund t’i riparojë ata, sepse është çështje jashtëzakonisht e vogël që Qeveria e Kosovës të merret me atë se ku mund të riparohen ata”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se, nëse kompania në fjalë e ka fituar tenderin përmes procedurave të rregullta dhe i ka përmbushur kriteret e përcaktuara, atëherë kjo mund të ketë ndodhur për shkak të plotësimit të kushteve të tenderit.
“Janë disa parakushte që kompanitë duhet t’i plotësojnë për të fituar tenderin dhe ndoshta rastësisht kompania në fjalë e ka fituar tenderin për shkak se i ka plotësuar të gjitha ato kritere”, është shprehur ai.
Ndryshe, deputetët e Aleancës e kanë akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për bashkëpunim me Serbinë lidhur me dërgimin e vagonëve të Trainkos për riparim në Zrenjanin.
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka publikuar një dokument, sipas të cilit një komision i caktuar nga Trainkos kishte vizituar Serbinë më 7 nëntor 2024 për të testuar vagonët e riparuar.
Duke iu referuar këtij dokumenti, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bashkëpunim me Serbinë.
“Pas betejës ose pas sulmit të Banjskës, qeveria, në mënyrë që t’i vendoste taksë 100%, sikurse i pati vendosur zotëri Ramush Haradinaj, ata e shpërblejnë Serbinë me gjysmë milioni për renovimin e vagonëve. Dhe ndërsa këtu flasin dhe akuzojnë të tjerët që kanë bashkëpunuar… Jo, jo! Ju po bashkëpunoni me Serbinë dhe Albin Kurti po bashkëpunon me Serbinë”, ka deklaruar Kadrijaj.
Trainkos është ndërmarrje publike që menaxhon operimin e trenave, ndërsa aksionar ka Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.
Akuzave të deputetëve të Aleancës u është përgjigjur ushtruesja e detyrës së ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo ka thënë se vagonët janë dërguar për riparim në Serbi edhe para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohën e Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohën e Qeverisë Haradinaj, nga ministri Pal Lekaj. A ka qenë AAK-ja e brengosur për këtë çështje në vitin 2017, kur ministri i tyre e priste shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, ka shkruar Rizvanolli.
Ndërkohë, kompania e hekurudhave Trainkos ka reaguar pas raportimeve se pesë vagonë të trenave janë dërguar për riparim në Serbi në dhjetor të vitit 2024.
Në reagimin e saj, Trainkos ka sqaruar se vagonët janë dërguar për riparim në Serbi nga kompania vendore “Profitech SH.P.K.”, e cila e kishte fituar tenderin në shkurt të vitit 2024.
Sipas Trainkos, kompania fituese është përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve dhe, bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, ndërmarrja nuk ka mekanizëm juridik për të përcaktuar apo ndikuar në përzgjedhjen e tyre.
Trainkos ka bërë të ditur se, pas raportimeve në media, ka kontaktuar kompaninë “Profitech SH.P.K.” për të marrë sqarime lidhur me arsyen e dërgimit të vagonëve në Zrenjanin, nevojën për leje dhe mundësinë e kryerjes së riparimeve në një vend tjetër.
Sipas përgjigjes së operatorit ekonomik, vagonët janë dërguar në Zrenjanin pasi, siç është thënë, “vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë”.
Kompania gjithashtu ka deklaruar se dogana njoftohet paraprakisht dhe se vagonët kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut për në Serbi, ndërsa nuk ka pasur mundësi që riparimi të kryhej diku tjetër.
Trainkos ka njoftuar se do të bëhet një vlerësim i pavarur për të shqyrtuar nëse punimet mund të realizohen edhe nga operatorë në shtete të tjera.
“Në rast se vlerësohet se kjo është e mundur, atëherë do të shqyrtohen opsionet për ta trajtuar brenda kornizës ligjore”, ka thënë Trainkos.
Ndërmarrja ka theksuar gjithashtu se vagonët në fjalë janë blerë nga Gjermania në vitin 2017 dhe se po atë vit janë riparuar në Zrenjanin të Serbisë.
Sipas Trainkos, atëherë një komision i ndërmarrjes kishte vizituar punishten në Zrenjanin për të bërë pranimin teknik të vagonëve.
“Është tendencioze dhe manipuluese që konteksti dhe historiku i riparimit të vagonëve të injorohet për qëllim të politikave ditore, të cilat aspak nuk i shërbejnë interesit publik”, ka deklaruar Trainkos./teve1.info/
