Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar një kornizë kohore që, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, pengon zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.
Cakolli tha se, sipas interpretimit të tij, institucionet duhet të formohen brenda rreth 90 ditësh nga certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai vlerësoi se vendimi e relativizon shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, por përcakton pasojat e vonesës.
“Kjo, ndonëse e relativizon shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin, e pamundëson zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve përmes moskonstituimit të Kuvendit, duke përcaktuar si pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve tjera kushtetuese”, shkroi Cakolli.
Sipas tij, mbetet e paqartë kush do ta caktojë datën e zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti. Ai përmendi 8 ose 15 nëntorin si data të mundshme dhe tha se kjo çështje nuk është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.
