Marrja në pyetje e 5 dëshmitarëve amerikanë në procesin ndaj ish-ministrit, Fatmir Mediu në GJKKO shkaktoi përplasje mes prokurorëve të SPAK dhe avokatëve të të pandehurit.
Kjo pasi Prokurorët e SPAK kërkuan që pyetja e tyre të bëhej përmes letërporosive, pasi sipas tyre pyetja përmes video-konferencës ishte e vështirë, për arsye teknike, por edhe për shkak të diferencës orare mes dy vendeve.
Nga ana tjetër avokatët e Mediut, por edhe avokati i familjarëve të viktimave, kërkuan pyetje përmes video konferencës. Sipas avokatëve, vetëm në këtë mënyrë pyetja e dëshmitarëve do të ishte shteruese.
Dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancë, si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur, ishte Dashnor Caushi, i fajësuar në gjyqin e parë të dosjes “Gërdeci”.
Por, ish-drejtori i Logjistikës, Dashnor Caushi ka refuzuar të japë dëshminë e tij në seancën e sotme. Dashnor Caushi, bashkë i pandehur i dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre, nuk pranoi të fliste duke shfrytëzuar të drejtën që ia njeh ligji.
Në këto kushte prokurorët kërkuan të lexoheshin disa thënie të tij të bëra në procesin e mëparshëm ku ai ishte dënuar.
Seanca paraprake në GJKKO për Gërdecin ka zgjatur rreth një orë. Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dhënë pëlqimin për të folur para prokurorëve, por në fund të procesit gjyqësor pasi të merren në pyetje të gjithë dëshmitarët.
Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo